BotaKryesore

Berlin-Kiev, aleanca e hekurt: Patriot, Gepard dhe dronë kundër Rusisë

Gjermania ka njoftuar një paketë të re mbështetjeje ushtarake për Ukrainën, duke përfshirë dërgimin e pesë sistemeve Patriot dhe municione për sistemet kundërajrore Gepard, si dhe financimin e prodhimit ukrainas të dronëve me rreze të gjatë veprimi.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, deklaroi se kjo mbështetje synon të rrisë kapacitetet mbrojtëse dhe ofensive të Ukrainës kundër agresionit rus. Gjatë takimit të Grupit të Kontaktit për Çështjet e Mbrojtjes së Ukrainës, Pistorius tha se ka rënë dakord me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes për dorëzimin sa më të shpejtë të pesë sistemeve Patriot, të cilat janë shumë të nevojshme në terren.

Lexo më shumë  Ku janë bazat kryesore ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme?

Ai falënderoi edhe Belgjikën, Danimarkën, Suedinë dhe Norvegjinë për kontributet e tyre në këtë proces, si dhe komandantin e forcave të NATO-s në Evropë për koordinimin e suksesshëm.

Gjermania do të sigurojë gjithashtu 220 mijë fishekë 35 mm për sistemet Gepard, në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar dhe me mbulimin financiar të plotë nga Berlini. Pistorius tha se kjo ndihmë do të forcojë mbrojtjen e hapësirës ajrore të Ukrainës dhe do të dëmtojë aftësitë ushtarake ruse.

Ministri gjerman theksoi se Gjermania po financon gjithashtu prokurimin e dronëve me rreze të gjatë veprimi të prodhuar në Ukrainë, të cilët kanë dëshmuar efektivitet në shkatërrimin e aeroplanëve, dronëve dhe raketave ruse përpara se të bëhen kërcënim për qytetet dhe infrastrukturën ukrainase.

Lexo më shumë  Reuters: SHBA mund të sulmojë Iranin brenda 24 orëve

“Sistemet e para të financuara nga Gjermania do të dorëzohen brenda ditëve të ardhshme dhe do të jenë gati për përdorim të menjëhershëm,” tha Pistorius, duke shtuar se planifikohen investime të reja dhe bashkëpunim më i ngushtë teknik mes industrive të mbrojtjes gjermane dhe ukrainase.

“Kjo është një goditje e qartë për Putinin. Sa më shumë të zgjasë kjo luftë, aq më e kushtueshme do të bëhet për të. Ukraina do të vazhdojë të rezistojë me sukses dhe ta dobësojë makinën ushtarake ruse çdo ditë,” përfundoi Pistorius.

YouTube player