Eksperti i sigurisë, Musliu ofron prova: Qeveria e Serbisë vazhdon financimin e grupeve terroriste që veprojnë në Kosovë
Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, ka ngritur alarmin për atë që ai e cilëson si financim të drejtpërdrejtë të grupeve terroriste nga Qeveria e Serbisë, përmes të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën”.
Sipas Musliut, kjo strukturë shtetërore serbe ka vazhduar ndarjen e “subvencioneve” për qytetarë serbë që jetojnë në Kosovë, por në mesin e përfituesve janë identifikuar më shumë se dhjetë individë që morën pjesë në sulmin terrorist në Banjskë, më 24 shtator 2023.
“Kjo dëshmon qartë se Qeveria e Serbisë po vazhdon financimin e individëve të përfshirë në veprime të dhunshme kundër rendit kushtetues të Kosovës,” thekson Musliu, duke shtuar se qëllimi i këtyre veprimeve është destabilizimi i sigurisë në Kosovë dhe në të gjithë rajonin.
Midis emrave që figurojnë si përfitues të këtyre subvencioneve dhe që dyshohet se morën pjesë në sulmin në Banjskë janë:
- Stefan Jovanoviq
- Veljko Gjorgjeviq
- Krsto Damnjanoviq
- Nemanja Stankoviq
- Danilo Iliq
- Stefan Radojkoviq
- Momçilo Vuçkoviq
Sipas Musliut, jo vetëm që këta persona janë të lidhur me grupe paramilitare, por disa prej tyre janë angazhuar në shtypjen e protestave të studentëve në Serbi dhe në sigurinë personale të presidentit serb Aleksandër Vuçiq, duke dëshmuar një lidhje të drejtpërdrejtë me shtetin.
Ai thekson se “Zyra për Kosovën” funksionon edhe si një mekanizëm për pastrimin e parave, duke kanalizuar fonde në emër të ndihmës për serbët në Kosovë, por që në realitet përdoren për interesa politike të SNS – partisë në pushtet në Serbi dhe për mbështetjen e strukturave kriminale e terroriste.
Musliu e përmbyll vlerësimin e tij me një thirrje të qartë:
“Këto fakte duhet të alarmojnë BE-në dhe NATO-n për të ndërmarrë masa ndaj Serbisë, e cila, edhe pse pretendon anëtarësim në BE, po mbështet aktivisht terrorizmin në Ballkan.”
Rruga Press

