KryesoreLajme

Sveçla për ndalimin e Popoviqit: Nuk tolerojmë fyerje dhe përdhosje të historisë sonë, aq më pak të UÇK-së

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas deklaratave të zyrtarit serb, Igor Popoviq, i cili gjatë një fjalimi në Rahovec e cilësoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë terroriste.

Sveçla konfirmoi edhe zyrtarisht se Popoviq është ndaluar në pikën kufitare në Bërnjak dhe ndaj tij priten masa konform ligjeve në fuqi.

Sipas tij, Popoviq që është ndihmësdrejtor në të ashtuquajturën “Zyrë për Kosovë” në Serbi – me deklarimet e tij ka nxitur urrejtje dhe përçarje ndëretnike në Republikën e Kosovës.

Lexo më shumë  Politico: Rusia krijon kampe trajnimi në Serbi dhe Bosnje për agjentë sabotazhi në Evropë

“Deklarimet e tij gjatë fjalimit kanë nxitur urrejtje e përçarje ndëretnike në vendin tonë. Ai e ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si organizatë terroriste, duke i krahasuar veprimet e saj me ngjarje të rënda në historinë botërore”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ai konfirmoi se Popoviq pas ndalimit në pikën kufitare në Bërnjak është dërguar në stacionin policor në veri të Mitrovicës.

“Nuk do të tolerojmë fyerje dhe përdhosje të historisë sonë, e aq më pak të Luftës sonë Çlirimtare të udhëhequr nga UÇK-ja. Kjo pjesë e historisë gëzon respektin e të gjithë botës përparimtare”, theksoi ministri në detyrë.

Lexo më shumë  Momçilo Gajiq, udhëheqësi i grupit serb që shkaktoi trazira në Evropë me urdhër të inteligjencës ruse – strehohet në Moskë

Sveçla shtoi se deklarimet si të Popoviqit janë “model millosheviqian” që mbahen ende gjallë nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

“Deklarimet e modelit millosheviqian, që administrata politike e Serbisë të drejtuar nga Vuçiq i mban ende gjallë dhe i shpërndan kudo, janë të dënueshme sepse janë përçarëse, të pavërteta sepse janë të trilluara, dhe të dëmshme sepse janë në kundërshtim me çdo normë ndërkombëtare të fqinjësisë dhe shoqërive përparimtare”, përfundoi Sveçla.

Rruga Press

YouTube player