Operacioni që zbuloi spiunazhin në polici: Një thirrje për pastrim institucional
Nga Rruga Press
Arrestimi i togerit policor Bojan Jevtiq është një lajm shumë i mirë, që njëkohësisht na tregon edhe se fatëkeqësisht shërbimet serbe kanë arritur të penetrojnë me agjentët e tyre në nivele të institucioneve të Kosovës. Kjo bëhet edhe më e rëndë kur shohim se vetëm vitet e fundit kemi parë punë me rezultate konkrete nga institucionet, që do të thotë njëkohësisht se më parë Kosova ka qenë terren i hapur për agjendën e Serbisë dhe qeveritë kanë qenë në rastin më të mirë neglizhente ndaj këtij fakti me rrezik të lartë për sigurinë kombëtare.
Operacioni i përbashkët i Prokurorisë Speciale, Policisë së Kosovës dhe AKI-së, tregon jo vetëm kapacitetin e brendshëm për të ndalur kërcënime të rënda ndaj shtetit, por edhe dimensionin e luftës hibride që Serbia, përmes strukturave të saj, vijon ta zhvillojë në Kosovë.
Për dallim nga e kaluara, kemi për herë të parë një zyrtar të lartë policor që arrestohet me prova të forta — përfshirë dokumente konfidenciale dhe para të dyshimta.
Ky nuk është vetëm një akt kriminal, por edhe një sinjal për një rrezik të thellë dhe të vazhdueshëm: përpjekjen për të kontrolluar apo komprometuar brendësinë e institucioneve tona, duke përdorur persona zyrtarë. Dhe kur këto operacione zbulojnë rrjete të tilla në një pikë kufitare, në polici dhe me ndikim financiar, atëherë nuk kemi të bëjmë më me veprime të izoluara, por me një model të strukturuar të ndikimit.
Institucionet e Kosovës, këtë herë, meritojnë jo vetëm vëmendje, por edhe përgëzim. Sepse si rrallë herë më parë e shpesh herë së voni, një operacion i tillë nuk u la në heshtje, por u bë publik dhe u finalizua me rezultate konkrete. Dhe pikërisht për këtë, duhet që ky rast të bëhet precedent për të vazhduar një pastrim real, profesional dhe pa kompromis.
Ky rast duhet të jetë një thirrje zgjimi për gjithë opinionin publik në Kosovë, për klasën politike në përgjithësi dhe për aleatët ndërkombëtar, për të braktisur politikat e kujdesit të tepruar ndaj partive serbe në Kosovë që Serbia i kontrollon në mënyrë vertikale. Demokracia dhe siguria i hapin rrugën njëra-tjetrës, në qëllimin e përparimit shoqëror, politik dhe ekonomik. Dhe nuk ka siguri për të gjithë apo demokratizim të pakicës serbe në Kosovë pa institucione të pastruara nga ndikimi i Serbisë dhe Rusisë.
Rruga Press

