Osmani në Letoni: Serbia është shndërruar në një shtet satelit të Rusisë
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se Serbia është shndërruar në shtet satelit të Rusisë e cila synon të krijojë efekt destabilizues në rajon. Por, Osmani tha se Kosova do të punojë ngushtë me NATO-n dhe Bashkimin Evropian, që taktikat destabilizuese të mos kenë sukses.
Këto deklarata Osmani i bëri gjatë vizitës së saj në Letoni – që është e para e një presidenti të Kosovës në këtë shtet – para se ta nderoi me medalje ushtarake presidenciale homologun e saj, Edgars Rinkēvics.Osmani tha se zëri i Letonisë ka qenë vendimtar në përkrahjen e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Ndërkaq, presidenti i Letonisë theksoi se “dita kur Kosova do të bëhet vend kandidat në BE është afër, edhe pse kërkohet ende punë dhe angazhim”.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se vizita në Riga shënon vazhdimësinë e një partneriteti të fortë ndërmjet të dy vendeve. Në takimin me presidentin e Letonisë, ajo tha se kanë diskutuar edhe për “qëllimet imperialiste të rrezikshme të Rusisë”.
Osmani tha se Kosova qëndron në vijën e parë të mbrojtjes së vlerave euroatlantike në Ballkanin Perëndimor.“Serbia vazhdimisht përpiqet të destabilizojë vendin tonë, përfshirë përmes akteve të agresionit, ndërsa ne vazhdimisht vetëmbrohemi. Në historinë e ekzistencës së shtetit tonë, asnjëherë nuk kemi pushtuar apo sulmuar as edhe një centimetër të territoreve të fqinjëve tanë. Ajo që kemi bërë gjithmonë – dhe që do të vazhdojmë të bëjmë – është të mbrojmë pavarësinë tonë, integritetin tonë territorial, paqen dhe lirinë që e kemi fituar me shumë sakrifica… Në vendin tim, ndikimi i Rusisë është zero. Fatkeqësisht, nuk mund ta them të njëjtën gjë për vendin fqinj, sepse Serbia është shndërruar në një shtet-satelit të Rusisë, qoftë në aspektin politik, ekonomik apo ushtarak. Përmes Serbisë, Rusia përpiqet të krijojë një efekt destabilizues zinxhir në rajon, sepse sa më shumë destabilizim në Evropë, aq më shumë i shërben interesave të Rusisë. Kjo është ajo që duan, por ne do të punojmë ngushtë me aleatët tanë në BE dhe NATO, përmes parandalimit dhe zmbrapsjes, për të siguruar që asnjë nga taktikat destabilizuese të Rusisë, të realizuara përmes Serbisë, të mos ketë sukses”, tha Osmani.
Në anën tjetër, presidenti i Letonisë, Edgars Rinkēvičs tha se vizita e Osmanit është historike, teksa shtoi se në takim ka konfirmuar mbështetjen për Kosovën në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian dhe integrimit të mëtejshëm evropian.

Në takimin me presidenten Osmani, ai shtoi se diskutuan edhe për bashkëpunim ekonomik, ku theksoi se ka rritje të shkëmbimeve tregtare mes të dyja vendeve.“Shpreha mbështetjen time për përfaqësuesen e lartë të BE-së, Kaja Kallas, dhe zotëri Sorensen – i cili është ndërmjetësues në emër të BE-së në dialogun e Prishtinës, që është shumë i rëndësishëm. Po ashtu është me rëndësi që ky dialog të mbështetet nga të dyja palët, jo vetëm nga njëra palë. Nga kjo pikëpamje, ishte shumë interesante për mua të dëgjoja nga kolegia ime, zonja presidente, mendimin e saj për ecurinë e këtij dialogu dhe mënyrën se si po trajtohen çështjet rajonale…Mendoj se do të arrijmë në një pikë kur do të shënojmë përparim të rëndësishëm në integrimin evropian të Kosovës. E dimë se çfarë duan miqtë tanë në Kosovë, por gjithashtu e dimë se ka ende shumë për t’u bërë, si në aspektin e reformave të brendshme, ashtu edhe në planin e politikës së jashtme, për të siguruar mbështetjen e të gjitha shteteve anëtare të BE-së. Por dita kur Kosova do të bëhet vend kandidat është afër, edhe pse kërkohet ende shumë punë”, theksoi ai.
Presidentja Vjosa Osmani gjatë ditës do të vizitojë edhe Qendrën e Ekselencës “Stratcom”, për çka u tha se ka rol të rëndësishëm në promovimin e integritetit të informacionit dhe qëndrueshmërisë.
Rruga Press

