Kellogg dhe Zelensky bisedojnë për blerjen e armëve për Ukrainën
I dërguari i posaçëm amerikan për Ukrainën, Keith Kellogg, u takua të hënën në Kiev me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, për të biseduar rreth mbështetjes ushtarake për Ukrainën.
Takimi i tyre ndodhi midis sulmeve të pareshtura ruse dhe në prag të një njoftimi të rëndëshishëm që presidenti amerikan, Donald Trump, ka premtuar se do të bëjë në lidhje me qasjen e Uashingtonit ndaj Rusisë.
“Biseduam për rrugën drejt paqes dhe çfarë mund të bëjmë së bashku më saktësisht për të ardhur më afër paqes. Kjo përfshin forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës, prodhimin dhe blerjen e përbashkët të armëve mbrojtëse në bashkëpunim me Evropën”, shkroi Zelensky në X.
“Dhe, natyrisht, diskutuam sanksionet ndaj Rusisë dhe atyre që e ndihmojnë atë”, shtoi ai, duke theksuar se “është e qartë se Moska nuk do të ndalet përveç nëse ambiciet e saj të paarsyeshme frenohen me forcë”.
Kievi dhe qytete të tjera në Ukrainë janë vënë në shënjestër të sulmeve të shumta ajrore nga forcat ruse javët e fundit, duke i zemëruar Trumpin dhe zyrtarë të tjerë në Uashington, të cilët kanë filluar të dyshojnë nëse presidenti rus, Vladimir Putin, ka vërtet për qëllim të zhvillojë bisedime për paqe.
Rruga Press

