Ministrat e BE-së vendosin të vazhdojnë bisedimet tregtare me SHBA-në, por paralajmërojnë përgatitje për çdo skenar
Në një mbledhje të zhvilluar të hënën në Bruksel, ministrat e Tregtisë të Bashkimit Evropian diskutuan mbi politikat tarifore të Shteteve të Bashkuara, pas vendimit të papritur të administratës Trump për të vendosur tarifa prej 30 për qind ndaj disa produkteve evropiane.
Komisioneri i BE-së për Tregtinë, Marosh Shefkoviq, tha para gazetarëve se bisedimet tregtare me SHBA-në do të vazhdojnë, por blloku evropian duhet të jetë “i përgatitur për të gjitha rezultatet”, përfshirë edhe kundërmasat e mundshme, në mënyrë që të rikthehet balanca në marrëdhëniet tregtare.
“Nuk mund ta imagjinoj që të largohemi pa një përpjekje të sinqertë për arritjen e një marrëveshjeje,” tha Shefkoviq, duke theksuar se pasiguria e shkaktuar nga tarifat e paarsyeshme nuk mund të vazhdojë pafundësisht.
Bashkimi Evropian, si partneri më i madh tregtar i SHBA-së dhe blloku më i madh tregtar në botë, ka vendosur të pezullojë tarifat hakmarrëse që duhej të hynin në fuqi të hënën, për t’i dhënë më shumë kohë dhe hapësirë arritjes së një marrëveshjeje me administratën amerikane deri në fund të muajit.
Kundërmasat e BE-së, që përfaqëson 27 vendet anëtare, do të shtyhen deri më 1 gusht, ndërsa në këtë periudhë do të vazhdojnë negociatat.
Vendimi i SHBA-së për tarifat do të ndikojë ndjeshëm në qeveritë, kompanitë dhe konsumatorët në të dy anët e Atlantikut. Tarifat pritet të rrisin çmimet e produkteve evropiane në tregun amerikan, duke prekur mallra si djathi francez, produktet prej lëkure italiane, pajisjet elektronike gjermane dhe barnat spanjolle, si dhe duke shqetësuar ekonomitë e disa vendeve evropiane.
Rruga Press

