Ish-kryeministri izraelit paralajmëron: “Qyteti humanitar” në Rafah mund të shndërrohet në kamp përqendrimi për palestinezët
Ish-kryeministri izraelit Ehud Olmert ka ngritur alarmin për planin e ri të qeverisë izraelite që parasheh ndërtimin e një “qyteti humanitar” mbi rrënojat e Rafahut, duke e cilësuar atë si një kamp përqendrimi dhe një hap drejt spastrimit etnik të palestinezëve.
Sipas tij, vendosja me forcë e popullsisë palestineze në këtë zonë të mbyllur, nga e cila nuk do mund të dalin veçse për t’u larguar nga territori, është një veprim që rrezikon të thellojë më tej shkeljet e të drejtës ndërkombëtare që, sipas tij, Izraeli tashmë i ka bërë realitet në Gaza dhe Bregun Perëndimor.
Plani i propozuar nga ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, parashikon ndërtimin e një zone të mbyllur ku fillimisht do të strehohen rreth 600,000 palestinezë, me synimin për ta zgjeruar atë në mënyrë që të përfshijë gjithë popullsinë palestineze të Gazës.
Olmert theksoi se, ndonëse aktualisht nuk mund të flitet për spastrim etnik, zbatimi i këtij projekti në mënyrë të detyruar do ta bënte një realitet të tillë. Ai theksoi gjithashtu se evakuimi i civilëve gjatë luftimeve është i lejueshëm vetëm kur bëhet për sigurinë e tyre dhe kur ata kanë mundësi të rikthehen, gjë që në këtë rast rrezikon të mos ndodhë.
Ndërkohë, organizata dhe ekspertë të të drejtave të njeriut në Izrael kanë paralajmëruar se projekti mund të përbëjë krim kundër njerëzimit dhe, në rrethana të caktuara, edhe krim gjenocidi.
Olmert, i cili ka drejtuar shtetin izraelit nga viti 2006 deri më 2009, ka dhënë deklaratat e tij në ditën kur në Bregun Perëndimor u zhvilluan funeralet e dy palestinezëve të vrarë nga kolonët izraelitë, njëri prej të cilëve me shtetësi amerikane.
Rruga Press

