Rama i qan hallin të vdekurve të Elbasanit, pasi helmoi të gjallët
Zjarri që përfshiu fushën e mbeturinave në Elbasan, për 6 ditë me radhë lëshoi një re të madhe tymi që qëndroi mbi qytet duke helmuar ajrin për të madh e të vogël. Shkak i flakëve nuk ishin vetëm temperaturat e larta të verës, por edhe babëzia e ministrave të Edi Ramës që në vend se të ndërtonin një incenerator funksional që do të trajtonte mbeturinat, mbushën xhepat me para dhe lanë pas një karakatinë, që Rama e quan incenerator, por që nuk funksionon.
Për pasojë, fusha e mbeturinave përfshihet nga flakët çdo verë duke helmuar qytetarët e Elbasanit me helme toksike që prodhon djegia e plehrave.
Për gjashtë ditë me radhë, Edi Rama heshti për këtë skandal që helmoi të gjallët, por këtë të premte doli se ishte shumë i shqetesuar për të vdekurit e Elbasanit. Ai iu përvesh kryebashkiakut të qytetit Gledian Llatja në takimin me kryebashkiakët, sepse kishte lejuar të rritet bari në varreza dhe që më vonë mori flakë.
“Iniciativat e qeverisë, gadishmëria e qeverisë për të mbështetur njerëzit, të mos trajtohen si bari i varrezave të Elbasanit. Bari i varrezave të Elbasanit ka potencialin të bëhet kallam edhe të bëhen varrezat si kallamishte. është një lloj bari që aq shumë është lënë pa u prekur sa jo vetëm rritet por mund të synojë të bëhet kallam. Pastaj kur shkon dikush i vë flakën dhe për turp bëhen varrezat vend zjarrvënie, del që është i çekuilibruar mendërisht, mund të jetë e vërtetë por nëse bari është i qethur siç duhet, edhe zjarri nuk merr qiellin” tha Rama gjatë takimit që pati me kryebashkiakët.
Kjo retorikë e Ramës, i cili ngre si shqetësim zjarrin që bie tek të vdekurit, por shpërfill flakët që helmojnë të gjallët, kthen përmbys çdo logjikë politike dhe sfidon çdo parim për një qeverisje të përgjegjshme.
Si shpjegohet që një kryeministër që heshti për flakët që lëshonin gazra toksike dhe helmuan dhjetëra mijëra banorë, sot e ngre zërin për flakët në varreza? Përse nuk flet asnjë fjalë për inceneratorin që nuk punon në Elbasan? Përse nuk kërkoi ndjesë për mbeturinat që digjen çdo verë?
Kuptohet se arroganca e Ramës e ka një shpjegim; Pas më shumë se një dekadë qeverisjeje, ndërsa të gjallët janë katandisur të nënshtruar e të mpirë nga varfëria, korrupsioni dhe krimi, për atë që i sundon, ata vlejnë edhe më pak se të vdekurit.
Rruga Press

