Thethi si skenë krimi politike e Rilindjes: Kur Kryeministri mashtron qytetarët dhe turpëron policinë
Aksioni propagandistik i Edi Ramës nëpër bashkitë e vendit, përveçse është asgjësim total i ndarjes së pushteteve, përbën një rënie të thellë të konceptit të shtetit në sytë e qytetarëve dhe vetë strukturave shtetërore.
Nuk është hera e parë që Edi Rama sillet si “Robert Çamçakizi”, duke shkelmuar tavolina e karrige nëpër trotuare, apo duke urdhëruar fadromat të shkatërrojnë çdo ndërtesë në zonat turistike, nga Vermoshi në Konispol, sapo vjen sezoni veror.
Rasti i Thethit dhe poshtërimi i strukturave të Policisë së Shkodrës është një tjetër ilustrim flagrant.
Së pari, gjatë fushatës elektorale, vetë Edi Rama u premtoi banorëve të Thethit se investimet e tyre nuk do të preken, madje do të legalizohen. Shumë prej tyre hodhën kursimet e jetës për të ndërtuar bujtina modeste në pronat e veta. Me leje apo pa leje qofshin, është e qartë se asnjë lopatë nuk është hedhur pa “shkelje syri” nga inspektoratet dhe strukturat vendore.
Madje, nëpunës të shtetit – policia, bashkitë, inspektoratet – kanë marrë ryshfete për të lejuar ndërtimet, duke premtuar se do të njihen më pas si të ligjshme.
Tani, pas gjithë këtij mashtrimi të heshtur institucional, kemi edhe një valë shkarkimesh në Policinë e Shkodrës, si pasojë e gjoja “skandalit” me ndërtimet në Theth. Kjo është një farsë e turpshme.
Kush mund ta besojë se policia e shtetit ka guxuar të lejojë ndërtime pa leje pa urdhër nga lart?
Poshtërimi që po u bëhet sot strukturave të policisë është jo vetëm një akt tallës, por edhe një sinjal frikësues për çdo nëpunës që përpiqet të mbajë një minimum integriteti në sistem.
Si ka mundësi që shkrihet e gjithë drejtoria e Policisë së Shkodrës për disa “kasolle” në Theth, ndërsa në Tiranë ngrihen pallate shumëkatëshe pa leje mbi kulla dhe nuk ndodh asgjë?
Pra, kjo “furtunë në gotë” e udhëhequr me urdhra arbitrarë nga Edi Rama, përveçse fsheh interesa klienteliste të tij me investitorë strategjikë, përbën një tradhëti ndaj qytetarëve që u mashtruan për votën me premtime për legalizim. Kjo është një goditje e radhës ndaj besimit publik dhe një dëmtim i mëtejshëm i autoritetit të strukturave shtetërore – nga niveli qendror deri te polici më i zakonshëm i bashkisë.
Ky është një turpërim që i bëhet strukturave të shtetit dhe thikë pas shpine qytetarëve që i besuan sërish një gënjeshtre të përsëritur.
Rruga Press

