Elvis Hoxha: Gjykata Kushtetuese ia ndalon partive lojërat politike me konstituimin e Kuvendit
Studiuesi i filozofisë politike, Elvis Hoxha, ka reaguar lidhur me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për mënyrën se si duhet të konstituohet Kuvendi. Në një analizë të publikuar, Hoxha thekson se aktgjykimi i Kushtetueses është i qartë në përcaktimin e roleve të partive parlamentare dhe ndalon ndërhyrjet nga njëra parti te tjetra në procesin e përzgjedhjes së drejtuesve të Kuvendit.
Në analizën e tij, Hoxha shkruan:
“Akt-gjykimi i Kushtetueses përcakton shumë qartë se konsitutimi i Kuvendit është detyrë e të gjitha partive. Ndërkohë ne e dimë të gjithë se konstituimi i qeverisë është detyrë e partisë fituese.
LDK vazhdon të mendojë se votimi i fshehtë është antikushtetues, edhe pse Kushtetuesja nuk ka dhënë asnjë gjykim sipas së cilit duhet të kryhet vetëm votim i hapur. Nuk e di ku e ka gjetur Lumiri në akt-gjykim interpretimin lidhur me mënyrën e votimit. Ndoshta ka parë ndonjë version tjetër.
Sa për kompromisin dhe konsensusin, Gjykata Kushtetuese në aktgjykim nuk ka dhënë zgjidhje tjetër veç faktit që nuk mund të ndërhyhet nga një parti te tjetra për emra të kandidatëve për kryetar e nën/kryetarë të Kuvendit.
Kjo ka qenë zgjidhja që jepte prej kohe LV kur thoshte se është mirë të votohen drejtuesit e Kuvendit në paketë.
Akt-gjykimi i Kushtetueses kërkon ta ndalojë shprehimisht këtë lojë. Kushtetuesja e parasheh se edhe LV ka të drejtën më pas të bllokojë emrat për nën/kryetarë që vijnë prej partive të tjera.”
Këto deklarime vijnë në një kohë kur partitë politike në Kosovë po zhvillojnë debate intensive rreth mënyrës së votimit për strukturat drejtuese të Kuvendit dhe për rolin e secilës parti në këtë proces. Hoxha, përmes qëndrimit të tij, hedh dritë mbi mënyrën se si duhet të interpretohet aktgjykimi i Kushtetueses dhe sfidon narrativat që, sipas tij, nuk bazohen në përmbajtjen reale të vendimit.
Rruga Press

