KryesoreOpinion/Aktualitet

Pse respekti për Albin Kurtin më rritet në përpjestim të drejtë me të vërtetën

Autor: Lirim Gashi

Të gjithë ata që më njohin, e dinë se kurrë në jetën time nuk kam pranuar asnjë ofertë të pamoralshme që do t’i dëmtonte interesat e popullit tim, të atdheut tim apo të shtetit tonë. Asnjë çmim në këtë botë, sado i lartë, nuk do të më motivonte ta braktis ndërgjegjen time.

Edhe kur kjo më ka kushtuar me një jetë më të vështirë, pa luks dhe pa rehati materiale – kam zgjedhur dinjitetin mbi gjithçka.

Por këtë që do ta them tani do ta them me vetëdijen më të plotë, me bindjen më të thellë dhe me ndërgjegjen më të pastër:

Sa më shumë që i njoh nga afër krerët e opozitës – aq më shumë e çmoj dhe e dua Albin Kurtin.

Sepse çdo dokument, çdo dëshmi, çdo rrëfim që më vjen në dorë rreth korrupsionit, mashtrimeve, vrasjeve, aferave kriminale dhe tradhtive të tyre – më shtyn ta kuptoj më thellë pse populli ynë ka vuajtur kaq shumë, dhe pse sot është në një përballje kaq të vështirë për drejtësi dhe dinjitet.

E vërteta është kjo:

Gënjeshtra, shpifja, manipulimi dhe krimi janë shndërruar në mjetin e vetëm të opozitës dhe bashkëpunëtorëve të saj të vjetër e të rinj. Të njëjtit njerëz që e vodhën shtetin për dekada, që e shitën sovranitetin nëpër ambasada, që e kthyen pushtetin në një bankomat familjar – sot po përpiqen ta paraqesin veten si shpëtimtarë.

Prandaj, është imperativ i kohës ta krijojmë një bazë të dhënash publike, një arkivë të zezë të të gjitha mashtrimeve, manipulimeve, krimeve ekonomike dhe tradhtive kombëtare të këtyre figurave politike. Emër për emër. Dosje për dosje. Dhe me këtë arsenal të së vërtetës, të shkojmë në çdo studio televizive, në çdo debat publik, dhe t’i përballim me faktet.

Lexo më shumë  Kaja Kallas: Putini nuk do ndalet me Donbasin, pastaj radhën e ka e tërë Ukraina

Sepse – siç thoshte Hannah Arendt – “Asnjë njeri nuk ka të drejtë të shitet si i painformuar kur e vërteta është në dispozicion.”

Nëse Prokuroria jonë – që për dekada ka qenë peng i sistemit të vjetër – nuk vepron, atëherë populli duhet të bëhet prokuror i historisë dhe gjyqtar i drejtësisë.

Sepse siç thoshte Jean-Paul Sartre: “Kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca bëhet detyrë.”

Dhe mjaft është mjaft.

Kosova nuk guxon më të jetë terreni i manipuluesve, i mashtruesve dhe i tutelarëve të errësirës. Është koha që e vërteta të bëhet sistem, që ndërgjegjja të bëhet forcë politike, dhe që kujtesa kolektive të mos lejojë më të përsëritet e kaluara kriminale.

Ne s’kemi më as luksin e harresës, as durimin për të pritur një mrekulli.

Por kemi Albin Kurtin – jo si një shpëtimtar, por si përfaqësuesin më të ndershëm të një populli që është lodhur nga tradhtitë dhe që është i etur si kurrë më parë për drejtësi, barazi dhe dinjitet.

Faleminderit që ekziston qëndrueshmëria e pathyeshme parimore e Albin Kurtit përballë politikës kriminale, grabitqare, pushtuese dhe gjenocidale të Serbisë – sepse falë saj, shumë agjentë shqipfolës të shërbimeve sekrete serbe, të infiltruar në çdo pore të jetës publike, mediatike, politike e kulturore, u detyruan të zbulojnë fytyrën e tyre të vërtetë.

Me drejtësinë e tij të palëkundur, me kurajën e një burri shteti të cilin nuk e frikëson as vetmia, dhe me një atdhedashuri që nuk përkulet para asnjë ambasade, Albin Kurti i detyroi kundërshtarët politikë të zbresin në nivelet më të ulëta dhe më të ndyra të lojës politike, vetëm për ta larguar nga pushteti. Sepse, më shumë sesa çdo armik i jashtëm, është patrioti i ndershëm ai që ua bën jetën ferr tradhtarëve të brendshëm.

Lexo më shumë  Ikja që po zbraz vendin/ Emigracioni prek 37% të familjeve në Shqipëri

Filozofi gjerman Arthur Schopenhauer shkruante: “Çdo e vërtetë kalon nëpër tri faza: fillimisht përqeshet, pastaj luftohet me egërsi, dhe në fund pranohet si e vetëkuptueshme.” Albin Kurti sot ndodhet pikërisht në fazën e dytë: në një betejë të pamëshirshme e të sinkronizuar kundër së vërtetës që ai mishëron.

Shembujt janë të pafund:

Kur mediat që për dekada heshtën për krimet e Serbisë, papritur filluan ta bëjnê sulmin kundër Albin Kurtit program të përditshëm – veprimtaria e tyre nuk ishte më gazetari profesionale kombëtare, por agjendë hibride serbe.

Kur analistët e blerë me dinarë e euro filluan të fyejnë UÇK-në dhe të madhërojnë diplomatët që kërkonin nga Kosova ta falë gjenocidin – analistët e shitur në vend që të jenë zëdhënës të vërtetës u shndërruan në vegla të nënshtrimit kombëtar.

Kur partitë që për vite të tëra heshtën për masakrat serbe bënë koalicione dhe aleanca me kryersit e krimeve – atëherë m’u kujtuan fjalët e Fanonit: “Çdo brez ka një mision për ta përmbushur ose për ta tradhtuar.”

Albin Kurti është nga ata që e përmbushën misionin – jo duke lëpirë kocka pêr karrigë, por duke qëndruar i palëkundur edhe përballë ambasadorëve, oligarkëve, mediave të blera dhe opozitës që mban zi sa herë që Kosova e shtrin sovranitetin në veri.

Në këtë përballje mes së vërtetës dhe maskës, Kosova ndriçon.

Sepse kur ndizet drita, minjtë dalin nga vrimat dhe shërbëtorët e armikut nuk kanë më ku të fshihen. E atëherë, siç thoshte Konfuci: “Mos u tremb nga ai që ta thotë të vërtetën – trembu nga ai që e hesht atë.”

Albin Kurti e ka thënë, e ka bërë dhe e ka paguar çmimin. Por nëse themeli i një shteti të drejtë është guximi për t’u përballur me padrejtësinë, atëherë historia e re e Kosovës ka nisur me të. Dhe ajo histori nuk ndalet më. Kurrë më.

Rruga Press

YouTube player