Sveçla: Arsenijeviq duhet sa më parë të përgjigjet para ligjit, duke u dorëzuar
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka folur për rastin e kryetarit të partisë “Demokracia serbe”, Aleksandar Arsenijeviq, te një pronë e të cilit ditë më parë u gjet një sasi e armatimit gjatë bastisjes në Zveçan, raporton “Ekonomia Online”.
Sveçla tha se Arsenijeviq është i dyshuar dhe duhet dorëzuar sa më parë.
“Është pjesë e hetimeve gjithëpërfshirëse. Është e qartë se janë grupe të ndryshme të cilat janë marrë herë me krim e herë me terrorizëm. Ky ka tentuar të krijojë një imazh të një opozitari. Realisht faktet tregojnë që është i përfshirë në aktivitete kriminale terroriste dhe duhet sa më parë të përgjigjet para ligjit, duke u dorëzuar. Nuk e kam fjalën vetëm për këtë, por edhe më gjerë. Ai është i dyshuar. Në pronën e tij janë gjetur armë që i takojnë një njësiti terrorist”, tha Sveçla.
Policia e Kosovës të dielën gjatë një aksioni në fshatin Vallaq në Zveçan kishte sekuestruar armë, municion, granata dore dhe zolla, në pronën e Arsenijeviqit.
Ministri në detyrë Sveçla në postim në “Facebook” të dielën tha se u kap “arsenal i mjaftueshëm për një njësit terrorist” dhe se objekti ku u gjet armatimi i takon Arsenijeviqit.
Rruga Press

