Ministri gjerman i Mbrojtjes viziton Ukrainën për bisedime për mbështetje armatimi
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka arritur në Kiev që të diskutojë mbështetjen ushtarake për Ukrainën në luftën e saj me Rusinë, ka raportuar të enjten agjencia gjermane e lajmeve, DPA, shkruan Reuters.
Pistorius planifikon të mbajë bisedime me përfaqësues të qeverisë ukrainase për ndihmën e mëtejshme të armëve nga Berlini, bëhet e ditur në raport.
“Ne po bëjmë gjithçka që mundemi që të përkrahim Ukrainën deri tani që të mund të mbrojë veten dhe që të ketë një pozicion ku Rusia është e gatshme të futet në negociata serioze”, ka deklaruar Pistorius para nisjes drejt Kievit.
Ministria gjermane e Mbrojtjes nuk ka kthyer menjëherë koment lidhur me këtë vizitë, raporton Reuters.
Gjermania është mbështetësja e dytë më e madhe ushtarake e Ukrainës pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zotimi i të cilave ndaj Kievit është vënë në dyshim, duke rritur presionin mbi Europën që të marrin më shumë përgjegjësi ndihme.
Rusia dhe Ukraina janë takuar për bisedime paqeje në Stamboll në fillim të muajit në një përpjekje të re për të arritur ujdi për konfliktin, që nisi me pushtimin rus të Ukrainës në shkurtin e vitit 2022.
Megjithatë, luftimet kanë vazhduar me dy krahët që nuk pajtohen për një mori çështjesh, si koncesionet territoriale dhe prospekti i anëtarësimit të ardhshëm të Ukrainës në NATO.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, i cili tashmë ka udhëtuar në Kiev dhe e ka pritur Volodymyr Zelensky në Berlin pas marrjes së detyrës në maj, së fundmi i ka dhënë Ukrainës dritën jeshile për përdorimin e “armëve me rreze të gjatë veprimi”, me të cilat e kishte furnizuar Gjermania dhe aleatët e tjerë, duke zemëruar Moskën.

