India miraton vaksinën e parë të ADN-së në botë kundër Covid
Rregullatori i Barnave në Indi ka miratuar vaksinën e parë të ADN-së në botë, kundër Covid-19, për përdorim urgjent.
Bëhet fjalë për vaksinën, ZyCoV-D, me 3 doza , e cila parandalon simptomat e koronavirusit me efektivitet deri më 66%, sipas një studimi të përkohshëm, të cituar nga kompania prodhuese e vaksinave, Cadila Healthcare.
Kompania planifikon të prodhojë deri në 120 milionë doza të vaksinës.
India deri më tani ka dhënë më shumë se 570 milionë doza të tre vaksinave të miratuara më parë – Covishield, Covaxin dhe Sputnik V, njofton BBC.
Rreth 13% e të rriturve janë vaksinuar plotësisht dhe 47% kanë marrë të paktën një dozë që nga fillimi i fushatës së vaksinimit në janar.
Kompania, Cadila Healthcare, tha se kishte kryer provën më të madhe klinike për vaksinën në Indi deri më tani, duke përfshirë 28,000 vullnetarë në më shumë se 50 qendra.
Faza kryesore e tretë e provave klinike u krye në kulmin e valës së dytë vdekjeprurëse të virusit. Prodhuesi i vaksinave beson se kjo riafirmoi “efikasitetin e goditjes kundër mutacioneve”, veçanërisht variantit , me transmetueshmëri të lartë, Delta.
Kjo është vaksina e parë e ADN-së, në botë kundër Covid-19, për njerëzit.
Ekzistojnë një numër vaksinash të ADN -së të miratuara në SHBA, për shembull, për përdorim te kafshët, duke përfshirë një vaksinë për sëmundjet te kuajt dhe një vaksinë kundër kancerit të lëkurës për qentë.
Rruga Press