Bota

Simptomat më të shpeshta të infektimit me Delta mes të rriturve dhe fëmijëve

Disa prej simptomave më të shpeshta përfshijnë humbjen e shqisës së shijes dhe të nuhaturit, lodhjen, kokëdhembjen, ethet, telashet në frymëmarrje, dhembjet dhe shtrëngimet në muskuj, problemet gastrointestinale si diarrea dhe vjellja, apo skuqjet në lëkurë

Përhapja e variantit Delta të koronavirusit ende pritet ta arrijë pikun në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, teksa bilanci i infektimeve po e vazhdon trajektoren e ngritjes. Varianti i ri është i pranishëm në më shumë se 98.8 për qind të mostrave të mbledhura të pacientëve mes 8 dhe 14 gushtit, sipas projeksioneve më të fundit të Qendrave amerikane për Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), duke potencuar se rajonet me shkallë të lartë të të pavaksinuarve e bartin barrën kryesore të kësaj vale, ka shkruar portali amerikan “Fortune”.

Mesatarja shtatëditore e rasteve të reja me COVID-19 ka qenë mbi 139.870 në ditë deri më 17 gusht, ka raportuar New York Times, duke theksuar se nivel i ngjashëm nuk është raportuar qysh nga shkurti.

Të dhënat fillestare nga terreni kanë sugjeruar se shenjat dhe simptomat e variantit Delta mund të dallojnë nga forma fillestare dhe se Delta mund gjithashtu të prekë fëmijët në mënyrë të ndryshme dhe më serioze se sa më herët, një çështje kjo jetike për monitorim me afrimin e fillimit të vitit shkollor me prani fizike në shumë vende.

“Akademia amerikane e Pediatrisë ka raportuar se rastet e reja të infektimit të fëmijëve po shtohen vrullshëm. Ishin 12.000 raste të tilla në javën e parë të korrikut; mandej 96.000 gjatë javës së parë të gushtit; dhe më shumë se 121.000 ndërmjet 5 dhe 12 gushtit, apo 18 për qind e të gjitha rasteve të raportuara atë javë. Hospitalizimi mes fëmijëve të shëndoshë është rritur po ashtu dhe sëmundja mund të shkaktojë simptoma më të rënda mes atyre që preken nga varianti”, ka shkruar së fundi e përditshmja amerikane Washington Post. Pediatrit që kanë folur për këtë gazetë kanë bërë të ditur se një numër i madh i pacientëve të rinj janë ose të moshave nën 12 vjeç, të cilët nuk kualifikohen për vaksinim, apo të rinj të kualifikuar që kanë shtyrë marrjen e vaksinës.

Lexo më shumë  Zyrtari i lartë i NATO-s u bën thirrje bizneseve të përgatiten për ‘skenarë lufte’

Prandaj, është me rëndësi që të numërohen simptomat më dominuese mes amerikanëve të prekur nga Delta, e veçanërisht më të rinjve.

“Simptomat e pacientëve mund të ndryshojnë theksueshëm, duke e pasur parasysh spektrin e gjerë të efekteve të COVID-19 në trup”, ka shkruar Fortune.

Disa prej simptomave më të shpeshta përfshijnë humbjen e shqisës së shijes dhe të nuhaturit, lodhjen, kokëdhembjen, ethet, telashet në frymëmarrje, dhembjet dhe shtrëngimet në muskuj, problemet gastrointestinale si diarrea dhe vjellja, apo skuqjet në lëkurë.

Në SHBA, projektet si “COVID Symptom Study”, shkruan Fortune, ua mundësojnë pacientëve t’i evidentojnë simptomat e tyre në një databazë digjitale që mund të gjurmojë se cilat prej tyre janë në rritje dhe në cilin rajon.

Studimet e tilla dhe dëshmitë nga spitalet më të mëdha sugjerojnë se në rastin e infektimit me variantin Delta, shumica e simptomave shfaqen në pjesën e kokës dhe në rajonin e hundës. Problemet me zorrë dhe me lëkurën shfaqen më pak, si mes të rriturve, ashtu edhe në mesin e fëmijëve, në rastin e Deltas. Shumë prej rasteve me këtë variant gjithashtu nuk i kanë shfaqur simptomat klasike të COVID-19, ka shkruar portali amerikan.

“Duket sikur kolla dhe humbja e të nuhaturit janë më pak të zakonshme. Dhe kokëdhembja, fyti i thatë, rrjedhja prej hundës dhe ethet janë të pranishme, sipas studimeve më të fundit në Mbretërinë e Bashkuar, ku më shumë se 90 për qind e rasteve janë të raportuara me variantin Delta”, ka theksuar specialistja pediatrike e sëmundjeve infektive dhe virologia e Universitetit Yale për mjekësi, Inci Yildirim.

Lexo më shumë  “I famshëm” për qëndrimet kundër NATO-s/ Zgjedhjet presidenciale në Rumani, kandidati pro rus është favorit

Mjekë të tjerë, si Michael Grosso, shef i repartit pediatrik në spitalin Northwell Health’s Huntington, i nxjerrin konstatimet sipas përvojave me pacientët e tyre, përderisa cekin se ka dallime të simptomave të Deltas mes fëmijëve dhe të rriturve.

“Për shembull, derisa kolla është përgjithësisht më pak e zakontë mes pacientëve të prekur nga varianti Delta se sa atyre me virusin origjinal, kjo simptomë mund të jetë më e theksuar midis fëmijëve”, ka thënë Grosso.

Sëmundja relativisht e rëndë e fëmijëve me Delta, sidomos atyre të pavaksinuar, ka shqetësuar mjekët në SHBA meqë variantet e tjera mund të jenë kaluar kryesisht pa u vërejtur nga pacientët përndryshe të shëndetshëm. Ata tërheqin vërejtjen se i tillë nuk është rasti me këtë variant, duke e rritur frikën për dëme të qëndrueshme te pacientët adoleshentë dhe fëmijë, të cilët duhet të hospitalizohen dhe të rikuperohen nga sëmundja.

“SHBA-ja mund ende të jetë në ditët e hershme të ballafaqimit me variantin Delta dhe vetëm monitorimi agresiv i pacientëve në aspektin afatgjatë do t’i ndihmojë ekspertët që të sigurojnë më shumë njohuri se si mutacionet e ndryshme të koronavirusit ndikojnë te njerëzit e ndryshëm. Por, një betejë e vazhdueshme me këtë patogjen kokëfortë mund t’i trimërojë edhe më shumë zyrtarët federalë për ta zgjeruar vaksinimin kundër COVID-19 te të gjitha moshat dhe ta avancojë qasjen në doza shtesë për të vaksinuarit plotësisht, dhe atë sa më parë që të jetë e mundur”, ka shkruar portali Fortune./koha/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *