KryesoreLajme

Kurti sheh nga afër punimet që po bëhen në Teatrin Kombëtar

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ditën e enjte ka parë nga afër punimet që po bëhen në Teatrin Kombëtar.

Kurti thotë se pasditja ka qenë e mbushur me vizita të projekteve dhe investimeve të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për artin, trashëgiminë dhe kujtesën tonë kolektive në kryeqytetin e Republikës, Prishtinën.

“Në Teatrin Kombëtar të Kosovës po investojmë shtatë milionë euro. Kur të përfundojnë punimet, ai do të duket porsi i ri por në të njëjtën kohë autentik, sepse përveçse shtëpi e artit, Teatri Kombëtar është edhe aset i trashëgimisë sonë të cilin duhet ta ruajmë”, ka pohuar Kurti.

Ai ka shkruar se njëkohësisht po restaurohet tërësisht edhe Muzeu Kombëtar i Kosovës.

“Aty, përveç rinovimeve të ndërtesës, vëmendje të veçantë po i japim sigurimit të kushteve të depos ku mbahen eksponatet në mënyrë që ato të ruhen pa u dëmtuar. Gjithashtu, ekspozita e përhershme do të rikonceptohet dhe përditësohet”, theksoi ai.

Lexo më shumë  Krasniqi: Konstituimi i kuvendeve komunale u zhvillua në përputhje me Kushtetutën

Mes tjerash, Kurti deklaroi se shtëpia e Hynilerëve dhe shtëpitë tradicionale të familjes Safqi dhe Sylejmani në zonën e qytetit të vjetër të Prishtinës, janë margaritarë të kryeqytetit.

“Ato janë në listën e Trashëgimisë Kulturore për mbrojtje dhe Ministria jonë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit po e bën restaurimin e tyre. E në Qendrën Historike të Prishtinës po kujdesemi edhe për ndërtesën e vjetër të Kryqit të Kuq, që është simbol i kujdesit, solidaritetit dhe përkushtimit ndaj njerëzve në nevojë. Ndërtesa, që pas Luftës së Dytë Botërore u bë selia e Kryqit të Kuq në Kosovë, ka rëndësi të çmueshme arkitektonike, historike dhe kulturore, dhe pas restaurimit do t’i kthehet për shfrytëzim institucionit”, pohoi ai.

Lexo më shumë  Gërvalla në Vjenë për takimin e “Miqve të Ballkanit Perëndimor”

Kurti thekson se  rinovimit dhe restaurimit të plotë po i nënshtrohet edhe institucioni qendror i artit pamor në vend, Galeria Kombëtare e Kosovës.

“Asaj po i shtohen hapësira të reja për inventarizimin dhe ruajtjen e koleksionit shtetëror të veprave të artit. Ndërkaq, punimet në objektin tjetër të Galerisë Kombëtare te Qafa në Prishtinë tashmë kanë përfunduar dhe ajo është e hapur për publikun.

Punime po zhvillohen edhe në ndërtesën qendrore të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës në kryeqytet. Në kuadër të këtij investimi, përveç përmirësimit të kushteve të punës, parashihen edhe hapësirat e reja dhe të përshtatshme për ruajtjen e materialeve arkivore – problematikë të cilën e kemi hasur edhe në objektet ekzistuese të Muzeut Kombëtar dhe të Galerisë Kombëtare, por që po rregullohet në secilin rast”.

YouTube player