PPNEA: Hapësira në Shqipëri ku do të ndërtojë dhëndri i Trumpit është zonë e mbrojtur
Kjo është një pjesë e peizazhit në të cilën Jared Kushner do të ndërtojë projektin e tij turistik. Një qytet i ri me mijëra dhoma, në një nga vendet më të bukura në Shqipëri dhe Evropë. Brenda Zonës së Mbrojtur Vjosë -Nartë, aty ku po ndërtohet Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës.
Pavarësisht statusit të mbrojtjes, projekti mund të vazhdojë sepse vitin e kaluar qeveria ndryshoi ligjin për Zonat e Mbrojtura, pa konsideruar Bashkimin Evropian, duke i hapur rrugë urbanizimit masiv brenda tyre.
Tashmë, pritet që ky vend unik, me dunat shekullore në të cilën riprodhohen breshkat e detit (Caretta caretta) dhe dhjetra lloje shpendësh të rrezikuar, të kthehet në një qytet me beton, rrugë të asfaltuara dhe drita, duke zhdukur përgjithmonë habitatin dhe jetën e egër që mbart pylli dhe bregu i deltës së Vjosës!
Shumë nga mediat vendase, nuk e kanë raportuar vendndodhjen e projektit, duke keqinformuar publikun se bëhet fjalë vetëm për ishullin e Sazanit.
Të gjithë bashkë duhet ta ndalojmë shkatërrimin e mëtejshëm të Vjosë – Nartës para se ajo të mbetet nje histori e trishtë që mund ta shikojmë vetëm në fotografitë e kaluara!
Rruga Press

