Gjykata Kushtetuese si mburojë politike? Mjeku ngre shqetësimin për keqpërdorimin institucional
Juristi Getoar Mjeku ka reaguar lidhur me propozimin e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) që presidentja e Republikës t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të zgjidhur ngërçin institucional pas zgjedhjeve. Sipas Mjekut, kjo qasje reflekton një keqkuptim të thellë të rolit të Gjykatës Kushtetuese dhe dëshmon për një tendencë të vazhdueshme të opozitës për ta përdorur këtë institucion si mjet politik.
“Mosthemelimi i Kuvendit është më shumë problem politik sesa juridik,” shkruan Mjeku, duke theksuar se përgjegjësia për funksionalizimin e institucioneve i takon aktorëve politikë dhe jo Gjykatës.
Ai vëren se një kërkesë e tillë nga opozita i ngjan përpjekjeve të mëhershme për ta instrumentalizuar Gjykatën në funksion të kalkulimeve politike. “E sheh si mjet politik, andaj e ka shfrytëzu sa e sa herë për me kundërshtu ligje të rëndësishme veç pse nuk pajtohet me to politikisht,” shkruan ai, duke rikujtuar rastet kur Gjykata ka tejkaluar afatet për vendimmarrje, çka ka ndikuar në frenimin e proceseve të rëndësishme shtetërore.
Mjeku rikujton edhe situatën e vitit 2014, kur presidentja e atëhershme i kërkonte mendim Gjykatës për formimin e institucioneve, gjë që ai e kishte kundërshtuar që atëherë. Sipas tij, Gjykata Kushtetuese nuk duhet të shndërrohet në “këshilltare politike”, por të veprojë vetëm brenda kufijve të përcaktuar nga Kushtetuta dhe ligji.
Duke iu referuar doktrinave kushtetuese të vendeve të përparuara, Mjeku ngre alarmin për rrezikun që paraqet përfshirja e tepruar e Gjykatës në çështje që i takojnë pushtetit politik dhe zgjedhjeve demokratike. “Gjykata kosovare ka mjaft precedente — të vetat e të huaja — që mund ta ndihmojnë me e shkagu punën e të tjerëve. Por edhe politikanët duhet ta kursejnë nga kërkesat e palejueshme e të panevojshme,” thekson ai.
Në përmbyllje, Mjeku nënvizon se kërkesat e opozitës për përfshirjen e Gjykatës në zgjidhjen e krizave politike jo vetëm që janë të pajustifikuara nga aspekti juridik, por edhe dëmtojnë funksionin themelor të këtij institucioni si garant i kushtetutshmërisë dhe jo si aktor në betejat politike.
Rruga Press

