KryesoreLajme

“Një kompani nga Serbia në kontratën e Qeverisë për mbetjet e kafshëve”, Peci: Pse gjithë kjo zhurmë për një boshnjak nga Novi Pazari

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ka reaguar pas publikimit në media të një hulumtimi nga një media ku thuhet se pronari i njërës prej kompanive për përpunimin e nënprodukteve shtazore që e ka fituar kontratën në Ministrin e Bujqësisë, është një shtetas i Serbisë.

Peci, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Qeveria e Kosovës i ka dhënë për interes publik fabrikën për trajtimin e mbetjeve shtazore një konsorciumi italiano-kosovar!”.

“Gjatë javëve që lamë pas, u përballëm me shpifje karshi funksionalizimit të Fabrikës së Përpunimit të Mbetjeve shtazore!  Shpifja e parë që u demantua ishte aludimi se gjoja, nuk ka bazë ligjore. E vërtetuam se baza ligjore ekziston. Shpifja e dytë ishte se kompania nuk ishte konzorcium. U vërtetua se është konzorcium!”, ka shkruar Peci.

Tutje Peci thotë se “kriteret e shpalljes për Operatorit Ekonomik ose konsorciumit që duhet të ketë përvojë në përpunim, kalkuloheshin qëllimshëm dhe me keqdashje si kosto dhe barrë e Qeverisë!”.

“Citohej gabim dokumenti që kërkonte vlerësimin e pronës në Ulpianë, të para dy viteve, i vendosej një aneks tjetër i një dokumenti dhe prezantohej si dokument për vlerësimin e tokës në Drenas ku një pjesë është moçal! Tash, kanë filluar të pavërtetat rreth shtetësive të aksionarëve! Qeveria e Kosovës, ka dhënë për shfrytëzim fabrikën në fjalë, një konzorciumi italiano-kosova”, thotë ai.

Lexo më shumë  Sazani dhe Zvërneci/ Si po e shfrytëzon familja Trump influencën politike për tu pasuruar

Peci thotë se “nuk është as në dorë të Ministrit e as të Ministrisë/Agjencisë që të jetë në rrjedha e të pretendojë të kontrollojë se kush kujt i shet apo i blen aksione në marrëdhënie kontraktuale”.

“Sfidojmë gazetarinë hulumtuese e cila është shumë e nevojshme në të tilla raste, që të gjejë se ku qëndron shkelja në procedurë të dhënies me qira dhe funksionalizimit të fabrikës. Procesi i regjistrimit në ARBK kërkon përfaqsues të kompanisë/konzorciumit, por nuk ka bazë ligjore që të kërkohet të dihet edhe nacionaliteti i aksionarëve të kompanisë/konzorciumit që regjistrohet”.

Ai thotë se “si ministër për sa më takon dhe di rreth kësaj teme, e për sa kam qenë i involvuar në këtë proces, nga dita e nesërme do të jem në çdo studio televizive, për ta sqaruar këtë temë”.

Lexo më shumë  Kurti premton përkrahje të prodhimit dhe shtim të 10 profileve në arsimin dual

“Gjithashtu, të njëjtët le ta gjejnë bazën ligjore e cila mundëson eleminimin e konkurrencës në proces të shit-blerjes së aksioneve, për arsye të shtetësisë së një aksionari apo një tjetri”.

Ai thotë se “në asnjë shpallje publike, pavarësisht që nuk është serb njëri nga aksionarët, eliminimi i dikujt mbi bazën e përkatësisë etnike ose të shtetësisë do të përbënte qasje raciste, shkelje ligjore dhe vepër penale”.

“Nëse në vend të Muhamer Ragipoviq aksionari do ta kishte emrin Muhamed Ragipi, shqiptar i Luginës por shtetas i Serbisë, a do të kishte raportimi të njëjtin titull, insinuate dhe jehonë? Jo.  Atëherë pse gjithë kjo zhurmë për një boshnjak/musliman nga Novi Pazari?”, ka shkruar Peci.

YouTube player