Për me pasë liri të medias duhet me pasë media të lira
Nga Agim Morina
Në Britani nuk mund të ndodhë që të vijë ndonjë matrapaz klerofashist rus, të ulet në ndonjë televizon britanik e të thotë se bashkëshortja e kryeministrit britanik punon dhe merr rrogë në Moskë. Sepse sapo do ta kishte thënë këtë ky televizon do të dënohej ose me dënim financiar të papërballueshëm, ose me mbyllje të plotë. Në Britani nuk ka demokraci për përhapës lajmesh gebellsiane, nuk ka liri të medias për shpifës klerofashistë e agjentë të luftës hibride, në këtë rast, të Rusisë. Aq më pak mund të lejohet që kur një shpifarak klerofasisht i tillë që tashmë ka përhapur një lajm të rrejshëm, si pjesë të luftës speciale, të ftohet prapë në studio të televizionit të njëjtë e të thotë se një oficer i policisë britanike, – që është vrarë nga rusët dhe është shpallur Hero i Kombit në Britani për sakrificën e tij, – “nuk është vrarë”. Në Britani nuk mund të përcjellësh konferencën e drejtpërdrejtë për shtyp të Putinit me përkthim simultan, por në Kosovë ish-ministrin kriminel të Miloševićit, tash kryetarin e Serbisë, Aleksandar Vučićin, që dje ka vra e sot shan e kërcënon shqiptarët, e shfaqin drejtpërdrejt dhe të plotë në televizionet e e tyre disa televizione të Kosovës, si të ishin ato televizione të Serbisë.
Për shumë më pak se kaq, vetëm për lajme që ishin qartësisht proruse, kanali (RT “Russia Today”) u ndalua në Britani (dhe në shumë shtete të tjera europiane). Dhe asnjë organizatë, as shtetërore, as ndërkombëtare, nuk doli e nuk u ankua se në Britani paska rrezikim e kufizim të “lirisë së medias” pas këtij ndalimi.
Është e qartë, për me pasë liri të medias duhet me pasë media të lira. Media të lira nuk mun me pasë nëse ndonjë oligark i Gjermanisë që ka në pronësi ndonjë televizon ka pasaportë ku shkrun ‘Berlin, Rusia’.
Dhe ajo që nuk mund të ndodhë askund në botë ndodhi në televizonin “Klan Kosova”. Njëfarë Branislav Krstići, që shfaqet si gazetar, duke shpifë në televizionin “Klan Kosova” në midis të Prishtinës, tha se Afrim Bunjaku “nuk është vrarë”. Pra, në një anë Milan Radoičići me bandën e tij kriminale vjen e vret policin e Kosovës, ndërsa Krstići del e shpall se ky polic nuk është vrarë. Kjo qenka “liri e medias”
Ky Krstić ishte po ai që në nëntorin e vitit 2024 përhapi lajmin e rrejshëm se kinse bashkëshortja e kryeminsitrit Kurti, Rita Augestad Knudseni, punon e jeton në Beograd. A ka kush që mund të besojë se Krstići nuk e paska ditur një fakt kaq të thjeshtë që bashkëshortja e kryeministrit Kurti as nuk punon, as nuk jeton në Beograd? Atëherë pse një përhapës i këtillë i rrenave dhe i propagandës klerofashiste të Serbisë ftohet në programet e Klan Kosovës apo edhe të cilitdo televizion tjetër në Kosovë? Për këtë arsye nuk duhet me u habitë kur qytetarja e Kosovës drejtpërdrejt në televizon refuzon t’i japë deklaratë gazetares së Klan Kosovës duke i thënë: “Nuk i jap deklaratë Klan Sërbisë.” Deri këtu ka ardhur puna.
Kurrkund, në asnjë vend të botës, nuk ka këso “lirie të medias”. Parulla e këtillë po shfrytëzohet maksimalisht për me kanalizu lirisht lumin dhe llumin e lajmeve të rreme, si pjesë tejet e rrezikshme e luftës speciale kundër shqiptarëve. Kjo bëhet për me shkaktu hutesë dhe mosbesim mes qytetarëve të Kosovës te qeveritarët e shtetit të tyre e me nxitë konflikte brendashqiptare, me ngritë tensione e me çu në luftë vëllavrasëse.
Prandaj, mbetet fakt, në Kosovë nuk ka liri të medias, për aq sa nuk ka media të lira. Por jo ngaqë këtë liri po e kufizon dikush, qoftë nga qeveritarët, qoftë nga kushdo tjetër. Mediat në Kosovë dhe në Shqipëri janë të prangosura prej vartësisë nga oligarkët, nga bandat e ndryshme dhe qendrat e dyshimta që nuk ua duan të mirën shqiptarëve. Sapo të çlirohen këto media nga kjo vartësi liria e medias ka me u shfaqë me krejt madhështinë e lirisë që e ka vetëm në Kosovë e Shqipëri dhe askund tjetër.
Rruga Press

