Finalja e Superkupës, Dortmund dhe Bayern kërkojnë trofeun e parë
Beteja në Bundesligë mes Borussia Dortmund dhe Bayern Munchen këtë sezon duket se do të jetë e ashpër, të paktën pas rezultateve të javës së parë.
Verdhezinjtë e nisën kampionatin në mënyrën e duhur me një fitore bindëse 5-2 me Eintracht Frankfurt, ndërsa bavarezët u ndalën menjëherë në një barazim me Borussia Munchengladbach.
Gjithsesi, dy pretendentët më të mëdhenj të futbollit gjerman kanë menjëherë shansin të tregojnë muskujt dhe të japin shkëndijën e parë të sezonit.
Klasikja e parë e sezonit luhet në finalen e Superkupës, me Dortmund që do të presë kampionët në “Signal Iduna Park”, përballë 25 mijë spektatorësh. Kjo do të jetë hera e 5 në 6 vitet e fundit që finalja e Superkupës luhet midis këtyre dy skuadrave.
Fitorja 3-2 vitin e kaluar i dha Bajernit, trofeun e 8, ndërkohë që në gjashtë raste, ky titull është fituar nga Dortmund.
Edhe këtë herë, sfidë brenda sfidës do të jetë edhe ajo mes dy yjeve të skuadrave, Robert Lewandowski dhe Erlin Halaand. Ylli norvegjez ishte i papërmbajtshëm që në startin e Bundesligës me 3 gola, por jo më pas mbetet edhe bomberi polak që gjati golin që në ndeshjen e parë zyrtare.
Trofeu i Superkupës është padyshim objektiv për të dyja skuadrat por për trajnerin e ri të Bayern, Julian Nagelsman suksesi në këtë finale do të ishte mundësia më e mirë për të ndrequr startin jo dhe aq pozitiv të këtij sezoni.
Rruga Press