Bota

OBSH formon grup të ri për gjetjen e origjinës së koronavirusit

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha më 13 gusht se po krijon një grup të ri për të hetuar origjinën e koronavirusit të ri përmes së cilit synon të mbajë larg “debatet politike” për këtë çështje.

Pamundësia e OBSH-së për ta thënë se ku dhe si filloi përhapja e koronavirusit ka nxitur tensione mes vendeve të saj anëtare, Kinës dhe SHBA-së.

Rastet e para me koronavirusin e ri u zbuluan për herë të parë në Wuhan të Kinës në fund të vitit 2019, por ende shumë pak dihet për origjinën e këtij virusi.

OBSH-ja u bëri thirrje të gjitha qeverive që të bashkëpunojnë për të përshpejtuar studimet lidhur me origjinën e pandemisë COVID-19 dhe “për të depolitizuar situatën”.

Grupi i ri që do të merret me origjinën e koronavirusit të ri është quajtur Grupi Shkencor Ndërkombëtar Këshillimor për Origjinat e Patogjenëve të Ri.

Lexo më shumë  Vuçiqi sërish refuzon t’i vendosë sanksione Rusisë, kundërshton ndihmën ushtarake për Ukrainën

“Të gjithë duhet të punojmë së bashku. Jo vetëm unë, por të gjithë duan të dinë origjinën e pandemisë më të keqe në një shekull”, tha zëdhënësja e OBSH -së, Fadela Chaib, në një konferencë të Kombeve të Bashkuara të premten.

Uashingtoni përshëndeti planin e OBSH-së, duke potencuar rëndësinë e “studimeve të bazuara në shkencë për të gjetur origjinën e kësaj pandemie”.

Presidenti amerikan, Joe Biden, në fund të muajit maj urdhëroi agjencitë e inteligjencës që të hulumtojnë përgjigjen mbi origjinën e COVID-19 dhe të raportojnë për gjetjet brenda 90 ditësh.

Në janar dhe shkurt, një ekip i OBSH-së qëndroi për katër javë në Wuhan dhe së bashku me ekspertët kinezë bënë përpjekje për të gjetur origjinën e koronavirusit.

Lexo më shumë  Zelensky në Samitin e Dubrovnikut, nënshkruan marrëveshje për mbështetje dhe bashkëpunim afatgjatë me kryeministrin kroat

Në raportin e tij përfundimtar, ekipi tha se virusi ndoshta ishte transmetuar nga lakuriqët tek njerëzit përmes një kafshe tjetër. Ai tha se një rrjedhje nga një laborator ishte “jashtëzakonisht e pamundur”.

Megjithatë në një dokumentar të transmetuar në Danimarkë të enjten, udhëheqësi i misionit të OBSH -së, Peter Ben Embarek tha se hipoteza e daljes së koronavirusit nga laboratori meriton studime të mëtejshme.

Reuters i ka dërguar ekspertit Ben Embarek pyetje për të sqaruar më shumë këtë deklaratë mirëpo nuk ka arritur ta kontaktojë atë.

Një zyrtar i OBSH -së tha se deklarata e tij nuk kishte asnjë lidhje me raportin, duke shtuar se intervista ishte filmuar muaj më parë./REL

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *