Qehaja: Marrëveshje ushtarake Kosovë, Shqipëri Kroaci s’është provokim
Ish-gjenerali, eksperti i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, Ramadan Qehaja, tha se nënshkrimi i marrëveshjes ushtarake të tri shteteve në rajon, Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, nuk është kurrfarë provokimi, siç thonë nga Beogradi zyrtar, por veprim konkret për stabilitet në Ballkan.
“Duke e ditur qëndrimin destabilizues të Serbisë në Ballkan e në vecanti ndaj Kosovës,gjë që është dëshmuar në disa raste me veprime konkrete ushtarake dhe terroriste ndaj Republikës sonë, nënshkrimi i marrëveshjes ushtarake tre palshe – Kroaci, Shqipëri dhe Kosovë- para ca ditësh në Tiranë, është një veprim konkret mbrojtës ndaj këtyre pretendimeve territoriale destabilizuese”, shkroi Qehaja në ‘Facebook’.
Sipas tij, gjendja destabilizuese në Bosnje e Hercegovinë si rezultat i destruktivitetit të Republikës Srpska atje, nën përkrahjen e vazhdueshme të Serbisë, tregon brishtësinë tejet të theksuar të situatës së sigurisë në Ballkan.
“Kujtoj se intenca e NATO-s për më shumë investim në ngritjen e gatishmërisë ushtarake të forcave të armatosura të saj e në veçanti të Shqipërisë, si anëtare të kësaj aleance dhe tentimit për ngritjen e gatishmërisë ushtarake përkatësisht të mbrojtjes edhe të Kosovës, janë sinjale që tregojnë vendosmërinë e këtyre tri shteteve për t’ju kundërvënë veprimeve destabilizuese serbe. Prandaj, unë mendoj se nënshkrimi i kësaj marrëveshje ushtarake të këtyre tri shteteve, nuk është kurrfarë provokimi, siç thonë nga Beogradi zyrtar, por veprim konkret për stabilitet në Ballkan. S’do mend se përkundër ekzistimit të një pjese të NATO-s në Kosovë – te quajtur KFOR – blerja e armatimit dhe ngritja e gatishmërisë ushtarake të FSK-së ,përkatësisht mbështetja në forcat tona vetanake ,mbetet një ndër prioritetet më të rëndësishme në momentin aktual”, tha ai.
Rruga Press