Sekretari i VV-së: Së paku 15 mijë vota me postë të LDK-së janë të falsifikuara
Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, Alim Rama, ka deklaruar se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) duhet të anulojë votat e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe të aprovojë rivotimin me postë, pasi sipas tij ka pasur manipulime masive në procesin zgjedhor. Sipas tij, 15 nga 18 mijë votat me postë të LDK-së janë të falsifikuara.
“Nëse PZAP-ja është profesionale dhe i tregon të gjitha provat, do t’i anulojë votat e LDK-së dhe do ta aprovojë rivotimin me postë. Ne kemi paraqitur qindra kopje të letërnjoftimeve që tregojnë një skemë të organizuar, ku të gjitha fletëvotimet janë shënuar si në fabrikë”, ka thënë Rama në “Interaktiv” të KTV-së.
Ai theksoi se ka një shpërputhje të madhe në votat e kandidatëve të LDK-së, duke dhënë shembullin e Hysen Çekajt, i cili ka marrë rreth 11 mijë vota brenda Kosovës, ndërsa me postë mbi 12 mijë dhe vetëm 92 vota në votimin në ambasadë.
“Ajo është rrethanë që po tregon se ka pasur manipulim. Lumiri ka thënë se i kemi të sigurta 40 mijë vota nga mërgata. Askush nuk i di votat e sigurta, vetëm ai që manipulon”, shtoi ai.
Sipas Ramës, është e vështirë të identifikohen saktësisht 18 mijë votat me postë të LDK-së që janë manipuluara, por një pjesë e konsiderueshme e tyre, siç thotë ai, janë falsifikuar.
“Të gjitha fletëvotimet janë të njëjta, kjo tregon se është përdorur vetëm një printer. Ka pasur manipulime edhe në regjistrim, me qindra njerëz të regjistruar me të njëjtin numër telefoni dhe të njëjtën adresë emaili. Janë rreth 15 mijë vota me postë të LDK-së që janë të falsifikuara”, ka theksuar ai.
Rama shtoi se ka raste ku votues kanë deklaruar se nuk kanë votuar, por në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) figurojnë si votues të LDK-së. Ai e cilësoi këtë si veprim kriminal dhe kërkoi një hetim të thelluar për zbardhjen e manipulimeve zgjedhore.
Sekretari i VV-së ka thënë se nëse PZAP-ja nuk e aprovon ankesën, do të vazhdojnë në instancat më të larta.
Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja, LVV-ja ka kërkuar nga PZAP-ja të anulojë votat me postë të LDK-së, të shkohet në rivotim dhe kandidatët që kanë marrë votë pakrahasimisht më shumë me postë sesa në Kosovë të largohen nga lista dhe të mos zëvendësohen me anëtarë të tjerë.
LDK-ja ka konsideruar se me këto veprime, partia në pushtet po i bën presion PZAP-së. /koha/
Rruga Press