Spanca: Vetëm 15% e lejeve të ndërtimit gjatë 5 vjetësh në Prishtinë kanë certifikatë
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka thënë se këtë vit kanë rritur numrin e auditimeve në krahasim me vitet e kaluar, e se deri në fund të gushtit do të ketë 139 auditime. Ka shtuar se plani auditues është rritur më shumë tek auditimet e pajtueshmërisë.
Spanca ka theksuar se e kanë rritur numrin e auditimeve të pajtueshmërisë për shkak të mangësive të shumta që kanë në nivelin qëndron e lokal me ligjet dhe rregulloret.
“Sepse standardet ndërkombëtare të auditimit parashohin tri lloje të auditimeve të veçanta, financiar, pajtueshmërisë dhe i performancës. Duke e parë mungesën e pajtueshmërisë apo mangësitë e shumta si në nivel qendror e lokal të pajtueshmërisë me ligjet dhe rregulloret me fuqi është më mirë që auditimet të mos jenë gjithëpërfshirëse apo në bazë të mostrave tek auditimi financiar, por ta marrim një projekt të caktuar dhe të shohim nëse janë respektuar procedurat nga fillimi deri në fund”, ka thënë ajo në “60 Minuta”.
Spanca u shpreh tutje se do të ketë 12 auditime të pajtueshmërisë, e që përfshijnë atë në QKUK për ndërtimin e objektit për klinikat Nefrologji dhe Hemato-Onkologji, në MAPL të procesit të subvencionimit të ndërtimit të shtëpive për komunitetet joshumicë dhe pakicë në veri të vendit, në MKRS për projektet kapitale në fushën e trashëgimisë kulturore, e të tjera.
Ndërkaq, ka folur edhe për auditimin për ndërtimet e larta në Komunën e Prishtinës, ku ka thënë se vetëm 15% e lejeve të lëshuara për ndërtim gjatë viteve 2017-2021 janë pajisur me certifikatë të përdorimit.
“Auditimi ka nxjerrë se Komuna e Prishtinës nuk ka qenë efikase në tërë procesin duke filluar nga lejet e ndërtimit deri te lëshimi i certifikatës së përdorimit. Ka pasur shumë mangësi në proces, trajtim jo të barabartë të kërkesave për leje ndërtimore, mungesë të inspektimeve të mirëfillta dhe mekanizmi me pajisje me certifikatë të përdorimit nuk ka qenë efektiv. Për 2017-2021 vetëm 15% të lejeve të ndërtimit janë pajisur me certifikatë të përdorimit. Shumica e ndërtesave të larta në qytet nuk janë të pajisura me certifikatë të përdorimit. Tregon se ndërtesat nuk janë të sigurta, nuk janë në pronësi të banorëve, nuk mund t’i përdorin në pronësi të tyre”. /koha/
Rruga Press