Ministria e Kulturës në Kosovë, hap konkursin për çmimet tradicionale në fushën e artit pamor
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka hapur konkursin për çmimet në fushën e artit pamor. Ftesa për propozime për Çmimin Kombëtar për Veprimtari Jetësore, “Muslim Mulliqi” dhe për Çmimin Vjetor për të Arriturat në fushën e Artit Pamor, është e hapur 30 ditë. I pari, sipas konkursit “u ndahet personaliteteve të shquara në fushën e artit pamor për të arriturat profesionale, për ngritjen e vlerave dhe për kontributin e veçantë në avancimin e artit pamor”. Të drejtë propozimi për këtë çmim kanë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Galeria Kombëtare e Kosovës, Fakultetet e Arteve të Universiteteve Publike dhe private të Republikës së Kosovës si dhe Asociacionet e Shoqatat profesionale të artit pamor. Për propozim janë disa kritere e ndër të tjera, ai duhet të përmbajë arsyetimin me shkrim dhe materialet tjera përcjellëse për të nominuarin.
“Në rast se nuk ka propozime nga institucionet përkatëse, juria profesionale mund të propozojë afat shtesë brenda kohës së paracaktuar për dhënien e çmimit”, shkruhet në konkurs.
Po aty janë precizuar edhe kriteret dhe detajet e Çmimit Vjetor për të Arriturat në Fushën e Artit Pamor i cili mund të jepet për pikturë, skulpturë, grafikë, qeramikë, vizatim, dizajn grafik, fotografi artistike, video art e art konceptual dhe performancë. Ky çmim mund t’u jepet dy krijuesve.
Është caktuar që çmimet të ndahen në ditën e parë të qershorit.
Vitin e kaluar me çmimin kombëtar për veprimtari jetësore “Muslim Mulliqi”, postmortem është nderuar piktorja Alije Vokshi, pioniere e artit akademik në Kosovë, gruaja e parë shqiptare nga Kosova që pikturës iu qas profesionalisht, ndërkaq vepra e saj vazhdon të shërbejë si model për breza të tërë artistësh nga Kosova.
Piktori Esat Valla, mori Çmimin Vjetor për të Arriturat në Fushën e Artit Pamor, emri i të cilit në historinë e artit pamor në Kosovë lidhet me surealizmin dhe trajtimin abstrakt të botës individuale.
Artistet Valbona Zherka, Lirije Buliqi dhe Alisa Gojani-Berisha, njëherësh zëvendësuese e drejtoreshës së Galerisë Kombëtare të Kosovës, kishin qenë anëtaret e jurisë.
Më 2023, Nusret Salihamixhiqi, ishte nderuar postmortem me Çmimin Kombëtar për Veprimtari Jetësore në artet pamore “Muslim Mulliqi”, ndërkaq Çmimin Vjetor për të Arriturat në fushën e artit e kishte marrë Violeta Xhaferi.
Rruga Press