Banka e Shqipërisë ngre alarmin, i kërkon qeverisë ta ulë borxhin/ Tri rreziqet që i kanosen
Qeveria rriti më tej borxhin publik të vendit në një akt normativ nëpërmjet zgjerimit të deficitit buxhetor, duke e çuar në nivele më të larta se në vitin pandemik.
Por Banka e Shqipërisë në Raportin e posaçëm të politikes monetare kërkoi rikthim të vëmendjes ndaj konsolidimit fiskal me mbarimin e pandemisë, është një parakusht i nevojshëm për të garantuar qëndrueshmërinë e financave publike në afatin e gjatë.
Banka analizoi se në veçanti, tre rreziqe potenciale që karakterizojnë strukturën e financimit të borxhit: Rreziku i rifinancimit; Rreziku i normave të interesit dhe ai i kursit të këmbimit.
Rreziku i rifinancimit, rriten presionet nga detyrimet e jashtme
Rreziqet që vijnë nga rifinancimi i referohet situatave hipotetike ku një qeveri mund të mos gjejë blerës potencialë për borxhin e saj.
Në vetvete, ky tregues është funksion direkt i nevojave që ka një qeveri për huamarrje gjatë një periudhe të caktuar kohore, zakonisht një vit kalendarik, dhe origjinës apo strukturës së zotëruesve të borxhit të saj.
Në rastin e Shqipërisë, rrezikut i rifinancimit ka ardhur në rënie gjatë viteve të fundit. Kështu, raporti i borxhit afatshkurtër ndaj totalit ka njohur rënie progresive në kohë, nga niveli 29% në vitin 2014 në nivelin 18% në tremujorin e parë të vitit 2020.
Kjo nënkupton se, gjatë një viti, qeveria ka më pak nevojë të jetë e pranishme në tregjet financiare për financimin e borxhit dhe për rrjedhojë është më pak e ekspozuar ndaj turbulencave të mundshme të tregjeve financiare.
Nga ana tjetër, ndonëse pesha e borxhit të zotëruar nga jorezidentët, interesi i të cilëve ndaj një tregu lokal është teorikisht më i ulët se ai i rezidentëve, është relativisht e lartë, ky tregues ka qenë relativisht i qëndrueshëm në kohë.
Rreziku i normave të interesit
Ky rrezik i referohet luhatshmërisë që mund të pësojë niveli dhe kostoja e shërbimit të borxhit, si pasojë e luhatjeve të tregjeve financiare apo e natyrës së instrumenteve të përdorur për financimin e tij.
Në rastin e Shqipërisë, rreziku i normave të interesit ka ardhur në rënie gjatë viteve të fundit.
Përtej rritjes së maturitetit dhe thellësisë së tregjeve financiare vendase, zgjatja e maturitetit të borxhit dhe reduktimi progresiv i peshës së instrumenteve të borxhit me interes të ndryshueshëm, kanë zbutur rrezikun nga normat e interesit dhe kanë përmirësuar kuadrin e vlerësimit të kostos së shërbimit të borxhit në të ardhmen.
Rreziku i kursit të këmbimit kërkon vëmendje të lartë
Ky rrezik i referohet luhatshmërisë që mund të pësojë niveli dhe kostoja e shërbimit të borxhit, si pasojë e luhatjeve të kursit të këmbimit. Ky rrezik është veçanërisht relevant për vendet të cilat përdorin tregjet financiare ndërkombëtare për mbulimin e nevojave të huamarrjes, nëpërmjet emetimit të instrumenteve të borxhit të denominuar në monedhë të ndryshme nga ajo kombëtarja.
Në rastin e Shqipërisë, pesha e borxhit në monedhë të huaj ka ardhur në rritje gjate viteve të fundit.
Kjo rritje pasqyron në një masë të madhe ndërgjegjësimin mbi pasojat negative që do të kishte aksesimi i tregjeve financiare lokale për përballimin e nevojave e mëdha për financim që ka pasur buxheti, si pasojë e kostove të rindërtimit të dëmeve të tërmetit dhe të kostove të pandemisë.
Megjithatë, administrimi i kujdesshëm i këtij rreziku kërkon vëmendje të vazhdueshme në të ardhmen.
Në këtë kontekst, angazhimi për vendosjen e borxhit në një trajektore rënëse në të ardhmen, duhet të shoqërohet dhe me kujdes të vazhdueshëm për përmirësimin e rreziqeve që lidhen me strukturën e tij, analizon Banka./Monitor
Rruga Press

