Arkeologët zbulojnë një pjesë fytyre njerëzore të fosilizuar që daton mbi 1 milion vite më parë
Pjesa e një fytyre të fosilizuar nga një paraardhës i njeriut është më e vjetra e gjetur në Evropën Perëndimore, sipas arkeologëve.
Kafka jo e plotë, një pjesë e kockës së faqes së majtë dhe nofullës së sipërme, u gjet në pjesën veriore të Spanjës në vitin 2022. Fosili besohet të jetë mes 1.1 milion dhe 1.4 milion vjet i vjetër, sipas hulumtimit të botuar në revistën “Nature”.
“Gjetja e fosilit është emocionuese”, tha Eric Delson, paleontolog në Muzeun Amerikan të Historisë Natyrore, i cili nuk ishte i përfshirë në studimin në fjalë. “Është hera e parë që kemi gjetur fosile të rëndësishme më të vjetra se 1 milion vjet në Evropën Perëndimore”.
Një koleksion i fosileve më të vjetra nga paraardhësit e hershëm të njeriut është gjendur më parë në Gjeorgji, pranë udhëkryqit të Evropës Lindore dhe Azisë. Fosilet vlerësohen të jenë 1.8 milionë vjet të vjetra.
Kafka e pjesshme e gjetur në Spanjë është prova e parë që tregon qartë se paraardhësit njerëzorë “po lëviznin drejt Evropës” në atë kohë, tha Rick Potts, drejtor i Programit të Origjinës Njerëzore pranë Muzeut Smithsonian.

Por ende nuk ka prova që mbërritjet më të hershme kanë vazhduar atje për një kohë të gjatë, tha ai. “Ata mund të kenë arritur në një vend të ri dhe më pas të kenë vdekur”, tha zoti Potts, i cili nuk kishte asnjë rol në studim.
Kafka e pjesshme ka shumë ngjashmëri me specien njerëzore Homo erectus, por ka edhe disa dallime anatomike, tha bashkëautorja e studimit Rosa Huguet, arkeologe në Institutin Katalan të Paleoekologjisë Njerëzore dhe Evolucionit Social në Tarragona të Spanjës.
Specia Homo erectus besohet të ketë jetuar rreth 2 milion vjet më parë dhe u zhvendos nga Afrika në rajonet e Azisë dhe Evropës, me individët e fundit që vdiqën rreth 100,000 vjet më parë, tha zoti Potts.
Mund të jetë shumë e vështirë që të identifikosh se cilit grup njerëzish të hershëm i përket një gjetje fosile nëse ka vetëm një fragment të vetëm kundrejt shumë kockave që tregojnë një sërë karakteristikash, tha paleoantropologu i Universitetit të Zyrihut, Christoph Zollikofer, i cili nuk ishte i përfshirë në studim.
I njëjti kompleks shpellash në malet Atapuerca të Spanjës, ku u gjet fosili i ri, më parë ka ofruar të dhëna të tjera domethënëse mbi të kaluarën e lashtë njerëzore. Studiuesit që punojnë në rajon kanë gjetur gjithashtu fosile më të fundit nga Neandertalët dhe Homo sapiens të hershëm.
Rruga Press