KryesoreLajme

Hajdari: Kosova shënon arritje historike, kryeson Komitetin e Përbashkët të CEFTA-së për herë të parë pa prezencën e UNMIK-ut

Republika e Kosovës  ka shënuar një moment historik në rrugëtimin e saj ekonomik dhe diplomatik, duke marrë për herë të parë kryesimin e Komitetit të Përbashkët të CEFTA-së për vitin 2025, pa praninë e UNMIK-ut. Kjo arritje nënkupton një njohje më të madhe të rolit institucional të Kosovës në këtë marrëveshje rajonale tregtare.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, udhëhoqi Takimin e parë Special të Komitetit të CEFTA-së në Prishtinë, duke shënuar fillimin zyrtar të kryesimit të Kosovës në këtë mekanizëm. Ky zhvillim shënon jo vetëm një hap përpara për Kosovën, por edhe përpjekjet e rajonit drejt një tregu të përbashkët më funksional dhe të integruar.

“Kosova do të ketë një kryesim aktiv, duke u fokusuar në zbatimin e vendimeve të miratuara të CEFTA-s dhe avancimin e reformave për lehtësimin e tregtisë rajonale. Kjo është një mundësi për të forcuar integrimin tonë ekonomik dhe për të afruar më tej Kosovën me standardet dhe rregullat e BE-së,” theksoi ministrja Hajdari.

Lexo më shumë  Shqipëria po plaket, fuqia punëtore po tkurret

Gjatë takimit, palët anëtare të CEFTA-së miratuan prioritetet e kryesimit të Kosovës për vitin 2025, si dhe katër vendime kyçe, të cilat pritet të sjellin përfitime konkrete për bizneset dhe të përmirësojnë funksionimin e strukturave të CEFTA-s dhe Sekretariatit.

Ministrja Hajdari theksoi gjithashtu rëndësinë e Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal (CRM2), që është një nga shtyllat kryesore të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor. Sipas saj, zbatimi i suksesshëm i masave të CEFTA-s në këtë drejtim do ta afrojë Kosovën dhe vendet e rajonit më pranë Tregut të Vetëm të BE-së.

Lexo më shumë  Krasniqi: Konstituimi i kuvendeve komunale u zhvillua në përputhje me Kushtetutën

Kosova ka shënuar përparim të rëndësishëm edhe në raportet ndërkombëtare për sa i përket politikës tregtare dhe të investimeve. Raporti preliminar i OECD-së për Konkurrueshmërinë në Evropën Juglindore 2024 e rendit Kosovën si një nga vendet më të avancuara të rajonit në këto dimensione, falë përafrimit të saj me rregullat e BE-së.

Përmes këtij kryesimi, Kosova jo vetëm që dëshmon aftësinë e saj për të udhëhequr mekanizma rajonalë, por edhe për të kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ky është një hap i rëndësishëm për Kosovën në rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian dhe forcimit të pozitës së saj në ekonominë rajonale!

YouTube player