KryesoreLajme

Zbardhet aktakuza ndaj të dyshuarve për spiunazh, prokurori: Qerimi e Shabani rrezikuan rëndë sigurinë e Kosovës

Të akuzuarit për spiunazh, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, e kanë bërë paraqitjen e parë para gjykatës ku u mbajt seanca e shqyrtimit fillestar, të mërkurën. 

Ata nuk u deklaruan për akuzat meqë për këtë nuk ishte gati i akuzuari Bedri Shabani, për çka kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri, e shtyu seancën për datën 17 mars. 

Prokurori special, Bekim Kodraliu, ka thënë se Shabani dhe Qerimi kanë rrezikuar rëndë sigurinë e Kosovës me veprimet e tyre.

“I pandehuri ka rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin juridik kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, duke e ndihmuar po ashtu BIA-n në krijimin e një narrative të pavërtetë, me qëllim që të ndërlidhë Spitalin Ushtarak të UÇK-së të Mollopolcit të Shtimes, me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” në Burrel të Shqipërisë, kinse janë bërë trafikim organesh, si dhe të vërë në dyshim të vërtetën e masakrës së Reçakut duke kërkuar nga zyrtari i BIA-s dhe Bogoljub Janiçeviq, që të ndërmarrin veprimeve operacionale të cilat do të shkaktonin një konflikti të gjerë ndëretnik në territorin e Republikës së Kosovës”, ka thënë prokurori Kodraliu. 

Ai ka thënë po ashtu se Qerimi i ka dërguar Serbisë informata për pjesëtarët e UÇK-së, emrat e dëshmitarëve të Gjykatës Speciale, si dhe të personave që punojnë në strukturat e sigurisë së Kosovës.  

Lexo më shumë  Këshilli Prokurorial i Kosovës po vazhdon të dëshmojë se nuk është i pavarur, por i lidhur me interesa të vjetra që i tremben reformës në drejtësi

E në aktakuzën e siguruar nga KOHA, thuhet se Shabani është mbrojtur në heshtje në prokurori, ndërsa Qerimi e ka mohuar pretendimin se është spiun i Serbisë. 

Megjithatë aty theksohet se Qerimi ka konfirmuar se ka takuar Sërgjan Rosiqin, zyrtar i BIA-s serbe. 

“Po se i njëjti, pastaj e mohon të ketë ditur se Sërgjan Rosiq të ketë qenë zyrtar i BIA-s, edhe pse me të njëjtin është takuar në Serbi dhe e ka pyetur paraprakisht edhe përmes telefonit se a e përfundove ‘brifingun e mëngjesit’! Për më shumë, i njëjti deklaron se Sërgjan Rosiqin e kishte ndihmuar kohëve të fundit edhe me mjete financiare (i kishte dhënë shumën prej 1.500 euro) si dhe me veshmbathje!”, thuhet në aktakuzë.

Në njërën pjesë të aktit akuzues thuhet se i pandehuri i ka çuar informata të klasifikuara Shërbimit Informativ të Serbisë.

“Në këtë dëshmi/foto, i pandehuri ka siguruar dhe mban shënime për zyrtarë të lartë të AKI-së, “Barlet Gashi dhe ish-drejtorin Bashkim Smakaj, dhe flet për operacionet e tyre zyrtare, për të cilat i pandehuri, si ish-zyrtar policor dhe hetues, e ka ditur se janë informacione konfidenciale”, thuhet në aktakuzë.

Lexo më shumë  Bërnabiq opozitës në Serbi: Po i kënaqni terroristin Albin Kurti dhe mediat në Kosovë

Lidhur me Shabanin në aktakuzë thuhet se mblodhi informata dhe i dërgoi ato për t’i shërbyer BIA-s në ndërtimin e narrativit të rrejshëm lidhur me trafikimin e organeve nga UÇK-ja. 

“Duke provuar të bëjë ndërlidhjen në mes Spitalit ushtarak të UÇK-së në Molopollc me të ashtuquajturën ‘Shtëpinë e Verdhë’ në Shqipëri si dhe me klinikën ‘Medicus’ dhe të njëjtat informacione të fabrikuara t’ia dërgojë BIA-s, përmes zyrtarit të saj, Srgjan Rosiq, i njëjti po ashtu sipas materialeve të nxjerra, ka bërë kërkime edhe për objektet e përdorura nga UÇK-ja në aplikacionin MAPS, pastaj rrugën e përdorur nga ushtarët e UÇK-së, për dërgimin e të plagosurve gjatë luftës përmes vizatimit të hartave dhe fotografive dhe të njëjtat i ka dërguar te zyrtari i BIA-s”, thuhet në aktakuzë.

Prokuroria pretendon se ka prova që Shabani ishte aktiv edhe ditën e sulmit terrorist në Banjskë, ku takoi një pjesëtar të policisë, të cilit i dha informata jorelevante dhe iu ankua se vazhdimisht po jep por nuk po merr informata nga policia. 

Ai sipas aktakuzës ka pasur kontakt edhe me pjesëtarin e BIA-s dhe ish-shefin e policisë së Ferizajt, Bogolub Janiçeviq, i cili sipas prokurorisë ishte i përfshirë në masakrën e Reçakut. /koha.net/

YouTube player