Ora e parë mësimore në shkollat e Kosovës i kushtohet Epopesë së UÇK-së
Në të gjitha shkollat e Kosovës, ora e parë mësimore i është kushtuar Epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të nderuar sakrificën dhe heroizmin e komandantit legjendar Adem Jashari, familjes së tij dhe të gjithë dëshmorëve të kombit.
Në shkollën fillore “Naim Frashëri” në Prishtinë, në orën e parë mësimore u zhvilluan aktivitete të ndryshme për nderë të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Drejtoresha e kësaj shkolle Merita Haxhiu Hasani tha se kjo shkollë ka filluar që nga sot me aktivitete të ndryshme dhe se këto aktivitete sipas saj do të vazhdojnë deri më 7 mars, raporton KosovaPress.
Pajtim Hodolli mësimdhënës i Edukatës Qytetare në këtë shkollë tha se ora e parë po i kushtohet lavdisë së Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare së Kosovës me aktivitete të ndryshme.
Sot në të gjitha shkollat e Kosovës ora e parë e mësimit i është kushtuar Epopesë së lavdishme të UÇK-së ku janë zhvilluar diskutime dhe aktivitete të ndryshme për të shënuar një nga momentet më të rëndësishme të luftës për liri.