Ministria e Kulturës do të restaurojë Kalanë e Artanës-Novobërdës të dëmtuar dhe të harruar prej kohësh
Kalasë së Novobërdës – e cila iu la në dorë një kompanie nga Serbia për restaurim mbi një milion eurosh të BE-së e nën mbikëqyrjen e UNESCO-s, por që në fund rezultoi se e ka dëmtuar – shteti i Kosovës i është rikthyer me projekt. Do të bëjë një të ri për konservimin, prezantimin e menaxhimin e këtij monumenti. Vetëm kjo punë peshon mbi 200 mijë euro. Historia e restaurimit shkatërrues daton qysh para një dekade, ka disa kapituj e njëri prej tyre është edhe ai i kontrabandës së disa artefakteve për në Serbi
Gati një dekadë pasi konservimi dhe restaurimi i Kalasë së Novobërdës shkoi huq bashkë me 1.1 milion euro, shteti ka nisur një ndërmarrje nga pika zero: do të bëjë projekt të ri për konservimin, prezantimin e menaxhimin e këtij monumenti. Për këtë Ministria e Kulturës ka përzgjedhur një kompani vendore dhe një fondacion italian. Ka lidhur kontratë me “Alb – Architect” dhe “Fondazione Santagata per l’Economia della Cultura” që për 212 mijë euro t’i kryejnë këto punë.
“Shërbime për zhvillimin e procesit teknik për Planin e Konservimit dhe Menaxhimit të Kalasë së Artanës – Novobërdës dhe hapësirë rrethuese në Artanë – Novobërdë”, është titulli i kontratës.
Historia e këtij aseti të trashëgimisë kulturore është kronikë dështimesh.
Më 2015 kompania “KOTO” e Beogradit, e përzgjedhur nga UNESCO, kishte nisur punimet për restaurimin e Kalasë së Novobërdës. Projekti qe financuar me një milion euro nga BE-ja, kurse zbatimi dhe mbikëqyrja janë bërë nga UNESCO-ja. Puna ka rezultuar me shumë defekte, të cilat ende nuk janë riparuar. Fasada e gurtë qëndron e shembur nga të gjitha anët.
Në anën tjetër, siç ka raportuar KOHA, në marsin e vitit 2022 e më pas këtë e ka vërtetuar edhe Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, nga kjo Kala jashtëligjshëm është bartur material arkeologjik për në Serbi.
Tashmë, sipas kontratës, partnerët që kanë marrë përsipër punët do të bëjnë përcaktimin e vlerave të trashëgimisë, do të zhvillojnë programin e projektit të konservimit për Kalanë, do të hartojnë projektin ideor për konservimin e Kalasë e atë për muzealizimin dhe prezantimin e lokalitetit. Më pas do të hartojnë projektin kryesor të konservimit, atë konsolidim strukturor, për muzealizim dhe prezantim të lokalitetit dhe do të bëjnë përditësimin e hartimin e Planit të Menaxhimit të Peizazhit Kulturor të Qytetit Historik Minerar të Novobërdës.
“Shërbimet e lartpërmendura të fazës së projektimit do të realizohen brenda afatit të paraparë në kontratë, i cili është 6 muaj nga nënshkrimi i Planit të Menaxhimit. Sa u përket shërbimeve të mbikëqyrjes së punimeve, këto do të realizohen gjatë procesit të zbatimit të projektit, në përputhje me procedurat dhe kohën që do të përcaktojë MKRS-ja për shpalljen e tenderit për realizimin e punëve ndërtimore”, ka bërë të ditur për KOHËN kompania “Alb – Architect”.
Rruga Press