Arrihet marrëveshja për qeveri në Austri pa të djathtën ekstreme
Tri partitë kryesore centriste të Austrisë në parlament kanë arritur një marrëveshje për të formuar një qeveri koalicioni pa Partinë e Lirisë së ekstremit të djathtë (FPO) dhe planifikojnë ta paraqesin atë më vonë të enjten, pesë muaj pasi FPO-ja fitoi zgjedhjet e fundit parlamentare.
Marrëveshja do të mbyllë pritjen më të gjatë për një qeveri të re në Austri që nga Lufta e Dytë Botërore, raporton Reuters.
Përpjekja e parë për të formuar një koalicion qeverisës me të njëjtat tri parti ka dështuar në janar, pas së cilës FPO-së euroskeptike, miqësore me Rusinë iu ngarkua të formonte një qeveri, por gjithashtu dështoi.
Partia Konservatore Popullore (OVP), Social Demokratët (SPO) dhe Neos liberale thanë se do të publikonin programin e tyre të përbashkët qeveritar në një konferencë shtypi të enjten.
Qeveria trepalëshe, e para e Austrisë që nga fundi i viteve 1940, do të marrë detyrën javën e ardhshme, me kusht që të gjitha palët të nënshkruajnë marrëveshjen, por pengesa kryesore është votimi i anëtarëve të Neos të dielën, pasi kërkohet një shumicë prej dy të tretash.
Kreu i FPO-së, Herbert Kickl, e ka hedhur poshtë lidhjen si një “koalicion humbësish” dhe ka bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme që sondazhet sugjerojnë se do të rriste përqindjen e votave të partisë së tij nga rreth 29% sa kishte marrë në shtator.
Koalicioni do të jetë nën presion për të dhënë rezultate, duke përfshirë tkurrjen e deficitit buxhetor dhe për të shmangur llojin e luftimeve që kanë rrëzuar qeveritë e mëparshme.
Rruga Press