BotaKryesore

Me lot në sy, Zelensky pret liderët botërorë në Kiev

Në përvjetorin e tretë të luftës së Ukrainës me Rusinë, një duzinë liderësh evropianë dhe kanadezë vizituan Kievin të hënën, në një shfaqje të dukshme mbështetjeje për Ukrainën, mes pasigurive në rritje mbi angazhimin e administratës së Donald Trump për të ndihmuar Kievin të përballet me pushtimin rus.

Ndër mbështetësit kryesorë të Ukrainës ishte Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe Kryeministri kanadez, Justin Trudeau. Gjatë takimit me këtë të fundit, Zelensky u pa me lot në sy, dukshëm i prekure nga përqafimi i Trudeau.

Në një postim në X, von der Leyen deklaroi se Evropa ishte në Kiev sepse “Ukraina është në Evropë”. Ajo theksoi se fati i Evropës është i lidhur ngushtë me fatin e Ukrainës.

Lexo më shumë  Ushtarët italianë në KFOR, të gatshëm për t’u përgjigjur ndaj situatave të papritura

Ndërkohë, marrëdhëniet transatlantike kanë pësuar tronditje për shkak të qëndrimit të ri të Shteteve të Bashkuara ndaj Ukrainës. Presidenti Trump ka bërë deklarata të ashpra ndaj Zelenskyy-t, duke e quajtur atë një diktator dhe duke sugjeruar se Ukraina është pjesërisht përgjegjëse për luftën. Po ashtu, administrata e tij ka sinjalizuar se nuk do të mbështesë anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe nuk pret që Kievi të rimarrë territoret e pushtuara nga Rusia, që përbëjnë rreth 20% të vendit.

Përballë kësaj situate, Bashkimi Evropian ka reaguar duke rritur mbështetjen për Ukrainën. Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka thirrur një samit urgjent më 6 mars për të diskutuar ndihmën ndaj Kievit. Ndërkohë, BE ka miratuar një sërë sanksionesh të reja kundër Rusisë, duke përfshirë masa kundër flotës së saj të anijeve që shmangin embargot dhe transportojnë naftë, gaz ose grurë të vjedhur nga Ukraina.

Në sfondin e një lufte të vështirë dhe mungesës së armëve dhe trupave, Ukraina përballet me një të ardhme të pasigurt, ndërsa Evropa përpiqet të forcojë mbështetjen për të.

Rruga Press

YouTube player