Pakoja ndihmëse e BE-së, “mesazh i fortë” për Ukrainën
Komisionari europian për Mbrojtjen, Andrius Kubilius, është pyetur të premten më 21.02.2025 për planet e Bashkimit Europian për ta mbështetur Ukrainën, shkruan gazeta britanike “The Guardian”.
Ai ka thënë se qëndrimi i Bashkimit Europian është “shumë i qartë”, derisa blloku është i përkushtuar për “paqe nëpërmjet fuqisë”.
Kubilius ka lënë të kuptohet se blloku do të vazhdojë me planet për ta ndarë një pako të re ndihme për Ukrainën të hënën, duke deklaruar: “Ne po diskutojmë të gjitha mundësitë që do të mund të na lejonin ne, që urgjentisht, t’u dërgojmë një mesazh shumë të fortë ukrainasve dhe botës se ne jemi bashkë me Ukrainën”.
“Shpresoj se një rast i mirë për një mesazh të tillë do të jetë…. përvjetori i tretë i luftës, që është të hënën e javës së ardhshme”, ka deklaruar ai.
Kubilius e ka pranuar se ka “thashetheme” për numrat, por ka refuzuar të spekulojë.
Ndërkohë komisionarja për Teknologji, Siguri dhe Demokraci, Henna Virkkunen, ka thënë se blloku “nuk do të pranojë” veprime ose ndërhyrje të tjera që mund të ndikojnë në trafikun në pjesën detare veriore të Europës pas dëmtimit të një kablloje.
“Është shqetësim të shohësh numrin e incidenteve muajve të fundit në infrastrukturën tonë nëndetare kritike. Këto incidente kanë pasur potencialin për të shpartalluar shërbimet jetike të shoqërisë tonë, si ndërlidhja dhe transmisioni elektrik, si dhe rrezik të theksuar për sigurinë”, ka deklaruar ajo.
Një qendër e re baltike do të themelohet me qëllim që “të detektohen incidentet, idealisht para se të ndodhin”.
Rruga Press