KQZ: Nis numërimi i votave për kandidatë në 14 qendra komunale
Të mërkurën në orën 16:00 është planifikuar të fillojë procesi i numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit në Komunat: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Skënderaj, Shtërpcë, Viti, Ranillug, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut, kurse në orën 13:00 ka filluar numërimi në Hanin e Elezit, ka njoftuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
E, procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i votave të subjekteve politike, ka filluar gjatë ditës së martë në Qendrat Komunale të Numërimit në komunat: Prishtinë, Lipjan, Obiliq dhe Partesh.
KQZ-ja ka ripërsëritur se integriteti i votës nuk është i cenuar dhe se pavarësisht vonesave që janë shkaktuar si pasojë e problemeve me platformën elektronike, rezultatet përfundimtare nga zgjedhjet e 9 shkurtit “do të jenë të sakta”.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se në çështjen e kohëzgjatjes së numërimit të votave varet nga pjesëmarrja e votuesve në vendvotime si dhe që këtë herë kanë pasur ata për të zgjedhur 10 kandidatë – gjë që merr kohë më shumë.
“Deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare, KQZ duhet të numërojë votat e kandidatëve për deputetë dhe të bëjë verifikimin e votave të subjekteve politike nga formularët të cilët janë plotësuar në vendvotime; numërimin e votave me kusht; votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat nga votimi jashtë Kosovës. KQZ është e përkushtuar maksimalisht që të gjitha këto procese të kryhen në kohën më të shpejtë të mundur, por duke siguruar saktësi në evidentimin e vullnetit të çdo votuesi”, ka thënë ai.
Elezi ka thënë se KQZ-ja po ndërmerr të gjitha veprimet lidhur me përmirësimet e nevojshme lidhur me rezultatet preliminare të subjekteve politike dhe të pjesëmarrjes, që gjatë këtyre ditëve janë evidentuar pasaktësi.
Në Qendrat Komunale të Numërimit, përveç procesit të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, do të bëhet verifikimi i votave të subjekteve politike nga formularët të cilët janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të votave për subjektet politike. Ky verifikim është paraparë me aktet nënligjore që janë miratuar nga KQZ qysh para shpalljes së datës së zgjedhjeve dhe, sipas KQZ-së, “kjo do të heq të gjitha dilemat që janë krijuar gjatë problemeve në publikimin e rezultateve preliminare për subjektet politike”.
Rruga Press