KryesoreLajme

Alimehmeti: Erion Veliaj të shkarkohet, Tirana të shkojë në zgjedhje. Rama, uzurpator i bashkisë!

Partia Demokratike ka kërkuar shkarkimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe shpalljen e datës së zgjedhjeve në Bashkinë më të madhe të vendit.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Ilir Alimehmeti në cilësinë e Kryetarit të Këshilltarëve Bashkiakë të PD në Bashkinë e Tiranës, tha se Tirana duhet të shkojë në zgjedhje, ndërsa akuzoi Ramën se ka uzurpuar Bashkinë në kundërshtim me ligjin.

Sipas Alimehmetit, Tirana ka nevojë për zgjidhje të fortë, të qëndrueshme dhe ndryshim, ndërsa theksoi se këtë zgjidhje nuk e ofron Rilindja që solli vdekjen klinike të saj.

Deklarata e Ilir Alimehmetit, Kryetar i Këshilltarëve Bashkiakë të PD në Bashkinë e Tiranës:

Të nderuar qytetarë të Tiranës e të Shqipërisë!

Dje të gjithë ne pamë ‘mbrojtjen’ e ish-Kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj, nga ana e Kryeministrit, Edi Rama, dhe se si kjo ‘mbrojtje’ në fakt kishte qëllimin e kapjes së pushtetit vendor nga vetë Kryeministri.

Haptas ai deklaroi se do të jetë ‘Kryetari në distancë i Bashkisë Tiranë’ në kundërshtim të plotë të Kushtetutës dhe të çdo ligji në fuqi në Shqipëri apo në Perëndim.

Haptas ai gjithashtu emëroi edhe Kryetaren e Deleguar të Bashkisë Tiranë, sërish në kundërshtim të plotë të Kushtetutës dhe të çdo ligji në fuqi. 

Shumë qartë është e përcaktuar se pushteti qendror dhe pushteti vendor janë të pavarur nga njëri-tjetri dhe përcaktimi i drejtuesve të tyre vjen vetëm përmes votës dhe organeve përfaqësuese të zgjedhur përmes saj.

Shumë qartë, ligji 139/2015, neni 7 citon se: ‘Organi përfaqësues i Bashkisë është Këshilli Bashkiak.’

Shumë qartë, neni 54 i të njëjtit ligj citon se: ‘Këshilli Bashkiak mbron dhe garanton interesin publik.’ 

Kjo do të thotë, shumë qartë, se detyra në këtë rast i takon Kryetares së Këshillit Bashkiak, znj. Romina Kuko, e cila hesht, si edhe 60 anëtarëve të tjerë të Këshillit Bashkiak të zgjedhur përmes votës.

Me këtë sjellje Edi Rama, nuk është sjellë si Kryeministër, madje as si Kryetar i një Partie, por si Kryetar i një Partie-Shtet, siç ka bërë prej kohesh nën ndikimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të dy Sorosëve.

Pse e ka këtë sjellje antikushtetuese Kryeministri?

Sepse është i qartë që zhvatja e Tiranës dhe e qytetarëve të saj nuk është kryer vetëm nga ish-Kryetari i Bashkisë, Veliaj, në mënyrë të izoluar, por me bekimin, mbështetjen dhe interesin e përbashkët të tij.

Sepse ai është i qartë se burgosja e numrit 2 de facto të Partisë Socialiste, Veliaj, është goditje e fortë për këtë parti dhe vetë Kryetarin e saj.

Sepse ai është i qartë që duhet të zbusë ‘kryengritjen’ brenda kampit të tij socialist pas lëshimit të numrit 2 te radhës, siç beri me numrin 2 të qeverisë, Ahmetaj.

Sepse ai është i qartë që situata politike brenda kampit socialist po i rrëshket nga kontrolli, tre muaj përpara zgjedhjeve parlamentare.

Këto veprime janë vetëm në interes të vetë Kryeministrit dhe të askujt tjetër.

Ne kërkojmë të përdoret i njëjti standard që është përdorur në rastin e Elvis Roshi në Kavajë,  Shukri Xhelili në Dibër, Safet Gjici në Kukës, Jorgo Goro në Himarë, etj. Për shkelje në magnitudë shumë më të ulët se Veliaj, këta ish-kryetarë bashkish janë shkarkuar ose u është kërkuar dorëheqja, për t’ju hapur rrugë zgjedhjeve vendore, siç përcaktohet me ligj.

Pra, kërkojmë, konform Kushtetutës dhe ligjit, shkarkimin e ish-Kryetarit të Bashkisë Tiranë, dhe zgjidhjen e problemit të krijuar nga dyshja Rama-Veliaj përmes votës së lirë të qytetarëve të vjedhur të Tiranës.

Tirana ka nevojë për zgjidhje të fortë, të qëndrueshme dhe Ndryshim. Këtë zgjidhje nuk e ofron Rilindja që solli vdekjen klinike të saj.

Tirana duhet të merret nga hajdutët dhe të kthehet te qytetarët!

Rruga Press

Lexo më shumë  Rashiq: Lista Serbe po ofron shuma marramendëse parash për t’i anuluar votat e partisë time
YouTube player