KryesoreLajme

Arrestohet një person për ushtrim presioni ndaj komunitetit rom në veri për të votuar Listën Serbe​

Policia e Kosovës ka arrestuar sot Gzim Jahiroviq në Mitrovicë nën dyshimin për ushtrim presioni ndaj komunitetit rom në veri të vendit, duke i detyruar ata të votojnë për Listën Serbe.

Arrestimi vjen si pjesë e një operacioni të gjerë për të luftuar manipulimet zgjedhore dhe për të siguruar procesin e drejtë dhe demokratik të votimit.

“Jahiroviq në bashkëpunim me strukturat ilegale serbe dhe nën instruksionet e Milan Radoiçiqit, ka ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj komunitetit RAE për të votuar në favor të subjektit politik ‘Lista Serbe’”, bëjnë të ditura burime të KosovaPress.

Lexo më shumë  Ushtarët e KFOR-it patrullojnë nga ajri në veri të Kosovës

Sipas të njëjtit burim, shantazhet dhe kërcënimet janë realizuar në forma të ndryshme, duke përfshirë frikësimin e qytetarëve me ndalimin e ndihmave sociale dhe shtesave për fëmijë që ata i marrin nga Qeveria e Serbisë. Jahiroviq ka komunikuar drejtpërdrejt me banorët e këtij komuniteti, duke u bërë presion që të mbështesin këtë subjekt politik.

Mësohet se Gzim Jahiroviq nuk është i panjohur për autoritetet, pasi ishte arrestuar edhe më 30 nëntor 2024 pas sulmit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit. Ai ka qenë i përfshirë vazhdimisht në aktivitete kriminale dhe ka vepruar në emër të organizatës terroriste “Mbrojtja Civile”, e cila është e njohur për veprimtaritë destabilizuese në veri të Kosovës. Arrestimi i tij sot konsiderohet një hap i rëndësishëm në luftën kundër strukturave ilegale dhe presionit politik të ushtruar ndaj komuniteteve në Kosovë.

Lexo më shumë  Sekretarja e Përgjithshme e organizatës më të madhe social-demokrate në botë, Internacionales Socialiste (SI), Chantal Kambiwa, me mesazh të fuqishëm në mbështetje të Albin Kurtit dhe Lëvizjes VETËVENDOSJE! për zgjedhjet e 9 shkurtit

Sipas burimit, autoritetet janë duke hetuar më tej rastin dhe nuk përjashtojnë mundësinë e përfshirjes së personave të tjerë në këtë skemë.

YouTube player