Bota

Franca dhe Holanda i dorëzojnë Ukrainës avionë luftarakë

Franca dhe Holanda i kanë dorëzuar Ukrainës avionë luftarakë, duke forcuar aftësinë e saj për të mbrojtur hapësirën ajrore nga bombardimet ruse.

Ministri francez i Mbrojtjes, Sebastien Lecornu, konfirmoi se një numër avionësh Mirage 2000 kanë mbërritur në Ukrainë, ndërsa Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës njoftoi se ka pranuar gjithashtu avionë F-16 të prodhuar nga SHBA.

“Forcat Ajrore të Ukrainës pranuan një përforcim të shumëpritur – avionët e parë Mirage 2000 dhe F-16 nga Holanda”, deklaroi ministri ukrainas i Mbrojtjes, Rustem Umerov, duke theksuar se këto mjete do të marrin pjesë në misione luftarake për të përballuar agresionin rus. Lecornu shtoi se pilotët ukrainas janë trajnuar në Francë për përdorimin e këtyre avionëve.

Lexo më shumë  Kallas: Shkëputja e Baltikut nga rrjeti energjetik rus, fitore për lirinë

Ukraina ka kërkuar prej kohësh avionë modernë nga Perëndimi dhe disa vende aleate u pajtuan në vitin 2023 për t’i dhuruar avionë F-16.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e quajti këtë një hap të rëndësishëm për forcimin e sigurisë së vendit.

Ekspertët vlerësojnë se avionët e rinj do të zëvendësojnë modelet sovjetike Su-24 dhe do të përdoren në misione të rëndësishme, përfshirë neutralizimin e dronëve Shahed dhe raketave lundruese ruse.

Lexo më shumë  Banka Qendrore Ruse: Inflacioni u përshpejtua ndjeshëm për shkak të sanksioneve të reja

Në të njëjtën kohë, Ukraina vazhdon përpjekjet për të zmbrapsur sulmet ruse dhe ka ndërmarrë ofensiva në disa zona.

Së fundmi, forcat ukrainase kanë sulmuar me dronë një bazë ajrore në rajonin Krasnodar të Rusisë, ku ruheshin dhe përgatiteshin dronët Shahed.

Sulmi shkaktoi zjarr në bazë, ndërsa zyrtarët ukrainas e cilësuan këtë një goditje strategjike kundër aftësive ajrore të Rusisë.

Rruga Press

YouTube player