KryesoreOpinion/Aktualitet

Qeveria Kurti do të sfidohet vetëm nga ballafaqimi me limitet e saja, dhe jo me ato të qeverisë Rama, moralit mbizotërues korruptues në Shqipëri, apo opozitës aktuale në Kosovë

Shkruan Pavjo Gjini

Albin Kurti, i cili reflekton veprimin politik të qytetarëve të Kosovës, është personazhi konceptual që ballafaqon shumëkënd në Shqipëri me limitin e tij politik, një limit të cilin ngaqë nuk duan ta kalojnë e kthejnë edhe në limit moral deri në pikën e vetëkorruptimit.

Ermal Mulosmani e shpreh shumë qartë frikën që i shkakton Albin Kurti për shkak të asaj që përfaqëson ky i fundit, një frikë ndaj politikës si veprim i njerëzve të lirë:

“Albin Kurti nuk është hajdut, ai është i rrezikshëm politikisht. Ai është nga ata njerëz, kafshë politike, që e jep edhe pasurinë e vet për të qenë i pari politikisht. Politika është Bibla dhe Kurani i tij. Mirëpo unë e kam bindje tashmë, në politikë ai bën shumë më shumë dëm sesa një superhajdut në ekonomi. Korrupsioni ekonomik sigurisht është i dëmshëm e duhet luftuar, por heroizmi politik i një vendi të vogël është njëmijë herë më i dëmshëm sesa vjedhjet e paraardhësve të tij. Më e keqja e Kurtit është fakti se brenda vetes nuk ka dilema nëse kjo është zgjedhja e duhur. Ai nuk është një mashtrues por dhjetë herë më keq, është një idealist. Këta nuk tërhiqen kurrë. Fatkeqësisht.”

Ndarja e vlerave këtu është e qartë:

-Me qenë i korruptuar është më mirë se të ndërmarrësh veprime politike nga pozita e një vendi të vogel, më mirë se të ndërmarrësh veprime heroike.

Lexo më shumë  Matjaž Nemec - Deputet në Parlamentin Evropian dhe Nënkryetar i Partisë Social Demokrate të Sllovenisë, mbështetë VETËVENDOSJE!-n dhe Albin Kurtin si Kryeministër të Republikës së Kosovës

-Me qenë mashtrues është më mirë se me qenë idealist, më mirë se me qenë i qartë dhe i vendosur në linjën tënde politike.

Kjo ndarje vlerash tregon në fakt kufirin moral e politik mbizotërues në Shqipëri: nuk është korrupsioni i ndaluar, korrupsioni është qetësues, lehtësues, është shpërblyes për sa kohë ndjek urdhëresat morale kryesore: mos ji idealist, mos ji politik, mos ji heroik, mos ji i vendosur, mos ji i pakorruptueshëm. Çdokush që i thyen këto urdheresa e trondit këtë personazh konceptual nga Shqipëria që përfaqëson një Shqipëri e cila është më e madhe sesa Rama dhe në të cilën Rama nuk është transgresion, por një normalitet çlirues.

Ashtu siç thotë Zhizheku për fitoren e dytë të Trumpit, që nëse e para do mund të quhej aksidentale, e dyta del të ketë qenë një domosdoshmëri historike, ashtu edhe fitorja e dytë e qeverisë Kurti me mbi 50% do të dalë të ketë qenë një domosdoshmëri historike.

Kjo domosdoshmëri historike, e cila do ketë implikime edhe në sjelljen votuese të qytetarëve në Shqipëri, do ta vendosë edhe njëherë, edhe më qartë, Shqipërinë përballlë limitit të saj shoqëruar nga parehatia e ballafaqimit me këtë limit: Shqipëria nuk është ende politike, ende e vendosur, ende heroike. Dhe përkundrejt këtyre vetëndrydhjeve, vetëcensurimi, vetëfrikësimi merr si lehtësim lirinë për të qenë e korruptuar, meqë korrupsioni nuk është i rrezikshëm, përkundrazi është lehtësues përballë rrezikut të të qenit një agjente e lirë politike me bindje të qarta e të palëkundshme.

Lexo më shumë  Kurti: Kosova ka arritur të drejtën për të organizuar Kampionatin Evropian të Esports përgjatë këtij viti

Qeveria e re Kurti do të fitojë sepse një kundërshtar i tillë, i cili ndoshta duket më qartë nga perspektiva e Shqipërisë sesa nga ajo e Kosovës, tenton ta sfidojë duke i ulur pritshmëritë ndaj qeverisë Kurti dhe ndaj vetvetes. Ndërkohë qeveria Kurti do të sfidohet vetëm nga ballafaqimi me limitet e saja, dhe jo me ato të qeverisë Rama, moralit mbizotërues korruptues në Shqipëri, apo opozitës aktuale në Kosovë. Qeveria Kurti do të sfidohet kur të rriten pritshmëritë ndaj saj dhe kur të rrisim pritshmëritë ndaj vetvetes, jo me ulje pritshmërishë: kur të kërkohet që projektet infrastrukturore në kulturë, si për shembull ky i fundit i Teatrit të Operas, të mosriprodhojnë fshirjen e mënjanimin e historive lokale e kombëtare (si me shembjen e Teatrit Kombëtar për një projekt të të njëjtit Ingels) nga arkitektë global neoliberalë, kur rritja e punësimit të jetë po aq e rëndësishme sa forcimi i pozitës shoqërore të punëtorit në vendin e punës, kur kritika ndaj oligarkëve të shoqërohet me reformim të sistemit të taksimit drejt atij progresiv e ndaj dividentëve të tyre, kur arsimi i lartë falas të shoqërohet me rritje të cilësisë së këtij arsimi dhe me demokratizimin e brendshëm të tyrin, e kështu me radhë.

YouTube player