Katër shtete heqin tarifat doganore për produktet industriale dhe për shumicën e produkteve bujqësore për Kosovën
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka mbajtur të hënën takim me bizneset ku është bërë prezantimi i përfitimeve nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë, ndërmjet Kosovës dhe EFTA-s.
Ministrja Rozeta Hajdari ka thënë se përfitimet nga kjo marrëveshje janë eliminimi i tarifave doganore për të gjitha produktet industriale dhe për shumicën e produkteve bujqësore.
“Kjo është një arritje e madhe që konfirmon synimin dhe përkushtimin tonë për rritjen dhe integrimin e industrisë tonë në tregun ndërkombëtar, për rritjen e punësimit, rritjen e të ardhurave kombëtare, qëndrueshmërinë e shtetit tonë dhe mirëqenien e qytetarëve tanë. Kosova po bëhet një destinacion dinamik dhe tërheqës për investime, me mundësi rritje në sektor kyç, si prodhimi, teknologjia informative. Fal potencialit tuaj që keni ne si Kosovë nënshkruam marrëveshjen për tregtinë e mallrave dhe të shërbimeve”, ka deklaruar Hajdari.
EFTA është shkurtesë për Shoqatën Evropiane të Tregtisë së Lirë, dhe përbëhet nga katër shtete që s’janë anëtare të BE-së – Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni.
Rruga Press