BotaKryesore

New York Times: Vuçiqi “sakrifikoi” kryeministrin, që të fitojë kohë 

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, “sakrifikoi” kryeministrin e tij në përpjekje për të qetësuar protestat që kanë përfshirë qytete të shumta në Serbi, duke përbërë një sfidë të madhe për pushtetin e tij dhjetëvjeçar, shkruan New York Times.

Kryeministri Miloš Vučević, një aleat i ngushtë i Vuçiçit dhe lideri de jure i Partisë Progresive Serbe, njoftoi dorëheqjen e tij me arsyetimin se nuk dëshironte të “rriste më tej tensionet në shoqëri” – vetëm disa orë pasi Vuçiç kërkoi një “rikompozim të menjëhershëm dhe gjithëpërfshirës të qeverisë”.

Vuçiç, i njohur për aftësinë e tij për të manovruar në një skenë politike të thellësisht e polarizuar dhe si balancues midis Rusisë dhe Perëndimit, ka një histori të gjatë të eleminimit të aleatëve të tij – të paktën përkohësisht – dhe të nxjerrjes jashtë loje të partive opozitare. Kundërshtarët e tij kanë pasur vështirësi ta sfidojnë në zgjedhje, por janë bashkuar me protestat e drejtuara nga studentët, shkruan New York Times.

Nuk është ende e qartë nëse dorëheqja e kryeministrit do t’i shuajë protestat apo do t’i intensifikojë ato më tej. Këto protesta u nxitën nga zemërimi publik pas vdekjes së 15 personave në një aksident në stacionin hekurudhor të Novi Sadit në nëntor.

Lexo më shumë  Deputeti gjerman Roth: Vuçiqi është një autoritar, i cili flirton me nacionalistët ekstremistë dhe diktatorët

Studentët, të cilët prej javësh po bllokojnë fakultetet, u mblodhën të martën përpara selisë së partisë në pushtet në Novi Sad, ku disa përkrahës të paidentifikuar të qeverisë dhunuan disa prej tyre. Muri i ndërtesës së partisë u mbulua me grafite me mbishkrime si “Vrasës” dhe “Hajdutë”. Protestat vazhduan edhe në qytetin e Nishit.

Të hënën, Vuçiç premtoi të përmbushë një nga kërkesat kryesore të studentëve – publikimin e kontratave dhe dokumenteve të tjera të lidhura me rindërtimin e stacionit hekurudhor të Novi Sadit, një projekt i kryer nga një kompani kineze dhe nënkontraktorët e saj.

Shumica e kërkesave fillestare të studentëve janë përmbushur, përfshirë ndjekjen penale të përgjegjësve për katastrofën dhe shkarkimin e ministrave që mbikëqyrën projektin, përfshirë ministrin e Transportit dhe Infrastrukturës si dhe ministrin e Tregtisë, shkruan New York Times.

Megjithatë, ndërsa protestat u zgjeruan, politikanët opozitarë filluan të kërkojnë që Vuçiç të formojë një “qeveri kalimtare”.

“Vuçiç po përpiqet të fitojë kohë, duke pritur që protestat të shuhen”, tha analisti politik Dragomir Anđelković, i cili mbështet studentët. Ai shtoi se protestat do të vazhdojnë, pasi dorëheqja e kryeministrit është vetëm një “përpjekje për mashtrim të ri”, raporton New York Times.

Lexo më shumë  Në Serbi, një betejë përfundimtare për demokracinë lulëzon mes indiferencës evropiane

Institucioni i Presidentit të Serbisë dikur ishte një post kryesisht ceremonial, por që kur Vuçiç e mori atë pas zgjedhjeve të vitit 2017 – pasi më parë shërbeu si kryeministër – ai është bërë qendra dominuese e pushtetit në Serbi dhe objektivi kryesor i zemërimit të opozitës.

Kriza politike në Serbi, ku dhëndri i ish-presidentit Donald Trump, Jared Kushner, ka punuar për një marrëveshje për ndërtimin e një hoteli luksoz të Trump-it në qendër të Beogradit, po krijon një dilemë për administratën e re amerikane.

Nën presidencën e Joe Biden, SHBA ka tentuar ta tërheqë Vuçiçin nga partneriteti tradicionalisht i ngushtë i Serbisë me Rusinë. Megjithatë, opozita serbe e ka kritikuar administratën amerikane për një qëndrim tepër të butë ndaj Vuçiçit.

Politika e Biden ka sjellë disa rezultate, përfshirë një marrëveshje të fshehtë për shitjen e gati 1 miliard dollarëve municione dhe armë serbe për Ukrainën, si dhe mbështetjen e Serbisë për rezolutat e OKB-së që dënojnë pushtimin rus, shkruan New York Times.

Rruga Press

YouTube player