Pas komenteve të Trumpit për Grenlandën, Scholzi thotë se kufijtë “nuk duhet të zhvendosen me forcë”
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë se kufijtë “nuk duhet të zhvendosen me forcë” pas një takimi me udhëheqësen e Danimarkës, Mette Frederiksen, pas komenteve të presidentit amerikan Donald Trump lidhur me fitimin e kontrollit të Grenlandës.
Qëllimi i këtij takimi të Scholzit me Frederiksen ishte për t’i treguar unitetin evropian, raportoi të hënën “The Guardian”.
Ky takim ndodhi para atij me presidentin francez, Emmanuel Macon në Paris dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në Bruksel.
Trumpi ka thënë gjatë fundjavës se mendon se do ta kenë Grenlandën, teksa është raportuar se ai e ka kërcënuar Danimarkën me tarifa mbi territorin danez.
Presidenti amerikan ka refuzuar të përjashtojë përdorimin e forcës ushtarake për të marrë ishullin Arktik, pjesë e mbretërisë së Danimarkës, e cila vazhdon ta kontrollojë politikën e saj të jashtme dhe mbrojtjen.
Në një konferencë të përbashkët shtypi në Berlin, as Scholzi dhe as Frederiksen nuk përmendën Trumpin apo Grenlandën.
Pasi foli për pushtimin rus të Ukrainës në vitin 2022 dhe se si “paprekshmëria e kufijve është parim themelor i së drejtës ndërkombëtare”, Scholz tha se parimi duhet të zbatohet për të gjithë.
“E kam bërë të qartë përsëri nga kjo pikë disa ditë më parë. Kufijtë nuk duhet të zhvendosen me forcë”, ka thënë ai.
Frederikseni ka thënë se nevojitet bashkëpunim më i madh në Evropë.
“Kemi nevojë për një Evropë më të fortë dhe më të vendosur që qëndron gjithnjë e më shumë në të drejtën e saj, e aftë për të mbrojtur dhe promovuar Evropën dhe interesat evropiane. Duhet të marrim më shumë përgjegjësi për sigurinë tonë”, ka thënë ajo.
Rruga Press