Anija ruse hyn në ujërat britanike, shteti del me paralajmërim për Putinin
Marina Mbretërore ka monitoruar një anije spiune ruse pasi ajo hyri në ujërat britanike në fillim të kësaj jave, ka deklaruar sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, para deputetëve të mërkurën.
Healey ka thënë se anija, Yantar, është përdorur për marrjen e informatave inteligjente dhe hartës së infrastrukturës kritike nënujore të Mbretërisë së Bashkuar.
Ai ka shtuar se incidenti është “një shembull tjetër i agresionit rus në rritje”, raporton BBC.
“Unë gjithashtu do të doja që presidenti Putin të dëgjonte këtë mesazh: ne ju shohim, ne e dimë se çfarë po bëni dhe ne nuk do t’i shmangemi veprimeve të forta për të mbrojtur këtë vend”, ka deklaruar Healey.
Rusia e përshkruan Yantar si një anije kërkimore oqeanike dhe operohet nga Ministria e Mbrojtjes e vendit.
Vendet perëndimore e kanë gjurmuar shpesh anijen që operon në ujërat evropiane dhe ata dyshojnë se një pjesë e misionit të saj ka qenë gjetja e kabllove nënujore.
Ata gjithashtu besojnë se Rusia e ka rritur këtë aktivitet që kur ka nisur pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës.
Anija mund të përdorë dronë zhytës të aftë për të arritur në fundin e oqeanit.
Infrastruktura nënujore është thelbësore për furnizimin me energji përmes kabllove dhe tubacioneve të energjisë, ndërsa më shumë se 95% e trafikut të internetit sigurohet gjithashtu nëpërmjet kabllove nënujore.
Sekretari i Mbrojtjes ka thënë se është hera e dytë që anija ka hyrë në ujërat britanike në muajt e fundit, teksa ka shtuar se qeveria po forcon reagimin e saj ndaj aktivitetit detar rus me aleatët e saj të NATO-s.
Rruga Press