KryesoreLajme

Mbi 11 miliardë euro të mbledhura nga Administrata Tatimore e Kosovës (AKM) në 25 vjet, 2.79 milliard euro vetëm gjatë Qeverisë Kurti 2

Administrata Tatimore e Kosovës (AKM) shënoi sot 25 vjetorin e saj, duke vënë në pah shumë arritje ndër vite.

Gjatë kësaj kohe, AKM-ja ka grumbulluar gjithsej 11 miliardë euro.

Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, tha se rrugëtimi ndër vite ka qenë i mbushur me sfida, por në të njëjtën kohë ka theksuar se edhe AKM-ja ka arritur suksese.

“Fillimisht AKM-ja ka pasur një staf prej 30 personash, ndërsa tani i kemi mbi 700. AKM-ja ka obligim që të sigurojë zbatimin uniform të dispozitave ligjore për të gjithë tatimpaguesit. Ne e konsiderojmë këtë mision të shenjtë. Si rezultat i punës profesionale, AKM-ja ka mbledhur mbi 8 miliardë euro taksa në këto 25 vite dhe në total kemi mbledhur mbi 11 miliardë euro”, tha Murtezaj.

Ai përmendi se krahas rritjes së të hyrave, ka vazhduar edhe reforma e shërbimeve brenda këtij institucioni.

Sebastian Sosa, përfaqësues nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), deklaroi se AKM-ja është vendimtare për zhvillimin e vendit.

Ai shprehu krenarinë që ka ndihmuar AKM-në në rrugëtimin e saj për t’u ngritur dhe zhvilluar.

Eileen Devitt, përfaqësuese e Ambasadës Amerikane në Kosovë, ka uruar AKM-në për bashkëpunimin dhe arritjet e deritanishme.

Lexo më shumë  Mbretëria e Bashkuar dhe Ukraina nënshkruajnë një marrëveshje “miqësie” 100-vjeçare, Zelensky: Ditë historike

Jonathan Hargreaves, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, tha se AKM-ja ka ndërtuar besimin e qytetarëve por edhe të bizneseve.

Hargreaves vuri në dukje se ata kanë dëshmuar përkushtim dhe përparim në AKM dhe se shifrat pasqyrojnë arritjet e tyre.

“Mbi 25 vjet, AKM-ja ka demonstruar profesionalizëm dhe përkushtim ndaj misionit të saj. Keni ndërtuar besim me qytetarët dhe bizneset. Ju e keni bërë këtë duke përmirësuar mbledhjen e të ardhurave. Jam shumë krenar që Mbretëria e Bashkuar ka luajtur një rol të rëndësishëm. Jemi krenarë për bashkëpunimin që kemi ndarë me ju”, tha ai.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Joern Rohde, po ashtu është shprehur se Gjermania mbetet e përkushtuar që të vazhdojë mbështetjen e saj për AKM-në.

Në fund të ceremonisë, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, tha se AKM-ja është një arritje e rëndësishme që simbolizon progresin e ndërsjellë drejt ndërtimit të një sistemi të qëndrueshëm tatimor.

Me përkushtimin e saj, AKM, sipas Rafunës, ka ndihmuar bizneset të krijojnë një kornizë që promovon barazinë dhe transparencën.

Gjatë qeverisjes së Albin Kurtit, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka shënuar rritje të vazhdueshme në mbledhjen e të hyrave tatimore. Të dhënat për vitet përkatëse janë si më poshtë:

  • Viti 2021: Për periudhën janar-shtator, ATK ka inkasuar 447 milionë euro, që përfaqëson një rritje prej 33% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, dhe një rritje prej 20% krahasuar me vitin 2019.
  • Viti 2022: Për periudhën janar-shtator, ATK ka mbledhur 542.8 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 21.4% ose 95.8 milionë euro më shumë se periudha e njëjtë e vitit paraprak.
  • Viti 2023: Për periudhën janar-qershor, ATK ka mbledhur mbi 423 milionë euro, që është një rritje prej 19% ose 68 milionë euro më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.
  • Viti 2024: ATK ka përmbyllur vitin 2024 me të hyra rekord prej rreth 950 milionë euro, një rritje prej 12% ose 100 milionë euro më shumë krahasuar me vitin paraprak.
Lexo më shumë  Krasniqi, pas komenteve të BE-së: Diskutimi nuk do të duhej të bëhej pse janë mbyllur strukturat paralele, por si kanë qenë të hapura deri sot

Këto të dhëna tregojnë një trend të qëndrueshëm të rritjes së të hyrave tatimore gjatë qeverisjes së Kurtit, duke reflektuar përmirësime në administrimin tatimor dhe përmbushjen e obligimeve nga tatimpaguesit.

Pra, gjatë qeverisjes së Albin Kurtit, ATK ka mbledhur rreth 2.79 miliardë euro nga tatimet, që barazon 25% të totalit të të hyrave tatimore të të gjithë historikut të ATK-së.

YouTube player