Kompania e Elon Musk nuk paguan taksat në Shqipëri, Tatimet vendosin nën sekuestro Starlink Albania
Starlink Albania, kompania që ofron shërbim interneti përmes satelitit është në telashe me zyrën e taksave. Administrata Tatimore ka vendosur sekuestro mbi kompaninë me përfitues fundor Elon Musk, për shkak se ka detyrime të papaguara tatimore.
“Kërkesë për vendosjen e masës së sigurimit tatimor”, ardhur nga Drejtoria e mbledhjes se detyrimeve tatimore te papaguara Rajoni Qendror , Tirane , ku eshte kerkuar: Vendosja e masës së sigurimit tatimor mbi pasuritë e tatimpaguesit “STARLINK ALBANIA” pajisur me NUIS (NIPT) M21705037B , duke moslejuar tjetërsimin mbi pasurinë dhe të drejtat pasurore që i përkasin këtij subjekti,” thuhet në dokumentacionin e depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Starlink është një kompani që ofron shërbim të shpejtë internetit përmes satelitit, pa patur nevojë për lidhje fizike. Aktualisht kompania është prezente në mbi 70 vende të botës. Në Shqipëri, ajo është prezente përmes Starlink Albania, e cila është themeluar në maj të vitit 2022.
Aksionet e Starlink Albania zotërohen në masën 100 për qind nga Starlink Holding Netherlands B.V, që ka përfitues fundor miliarderin amerikan Elon Musk. Sipas të dhënave nga bilance zyrtare të dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, në vitet 2022 dhe 2023 kompania nuk ka patur asnjë të ardhur nga aktiviteti i saj në Shqipëri.
Rruga Press