‘Check up’ në 1 milion kontrolle, 25% me diabet dhe yndyrna të larta, 3 në 4 të rritur obez
Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik kanë analizuar rezultatet që u bënë nga kontrolli bazë shendetësor, “ Check-up” në rreth 1 milionë kontrolle deri në vitin 2018.
Nga 954 667 vizita në kuadër të programit u gjet se 1 e katërta e tyre rezultuan me sheqerna dhe yndyra mbi normën dhe gjithashtu 3 ne 4 të rritur mbi peshë.
24.5 % e vizitave me sheqer të lartë në gjak
Rezultatet e analizave treguan se prevalenca e prediabetit dhe diabetit është 24.5%, pra 1 në 4 të rritur rezultojnë të kenë nivel jo të shëndetshëm të sheqerit në gjak. Sipas ekspertëve të ISHP-së, kjo është një shifër vërtet shqetësuese dhe duhet të rrisë ndërgjegjësimin e popullatës dhe të personelit shëndetësor për nevojën urgjente të kontrollit dhe parandalimit të nivelit të lartë të sheqerit në gjak.
Sipas qarqeve, prevalenca më e lartë e prediabetit dhe diabetit është në Tiranë (rreth 28%), ndërsa më e ulëta në Dibër (rreth 19%).
Lidhur me shpërndarjen gjinore, prevalenca e prediabetit dhe diabetit ishte më e lartë te meshkujt krahasuar me femrat (29.3% kundrejt 21.7%, përkatësisht). Rreziku për të pasur sheqer të lartë në gjak (diabet apo prediabet) rritet në mënyrë të qëndrueshme me kalimin e moshës, si për meshkujt ashtu edhe për femrat.
25.6 me yndyra mbi normën
Në shkallë vendi, prevalenca e kolesterolit (të keq) mbi normë ishte në 25.6% të pjesëmarrësve. Në meshkuj prevalenca e LDL kolesterolit mbi normë është 22.5%, ndërsa në femra ajo është ende më e lartë, me 27.5%.
Prevalenca e kolesterolit mbi normë rritet në mënyrë lineare me rritjen e moshës. Kështu, prevalenca më e ulët është në grup-moshën nën 44 vjeç (15.2%), ndërsa prevalenca më e lartë është në grupmoshën mbi 55 vjeç (30.3%). Prevalenca e nivelit të ulët të HDL kolesterolit (të mirë) ndjek të njëjtin profil, me 26% të pjesëmarrësve që e kanë atë nën normë.
3 në 4 të rritur mbipeshë
Ekspertët e Shëndetit publik gjeten se prevalenca e mbipeshës në shkallë vendi është 42%, ndërsa prevalenca e obezitetit është 33%. Në këtë mënyrë, nga matjet antropometrike të ndërmarra në kuadrin e Programit të Kontrollit Shëndetësor Bazë, prevalenca e mbipeshës dhe obezitet është 75%, pra 3 në 4 adultë shqiptarë (individë të grup-moshës 35-70 vjeç) rezultojnë që të jenë mbipeshë dhe/ose obezë.
Kjo prevalencë kaq e lartë e mbipeshës (përfshi obezitetin) është një shifër vërtet shqetësuese, e cila duhet të ndërgjegjësojë popullatën për kontrollin dhe parandalimin e mbipeshës trupore si një faktor madhor rreziku për shumë sëmundje kardiovaskulare, për diabetin etj, shprehe ekspertet. Përsa i takon shpërndarjes sipas qarqeve, prevalenca më e lartë e mbipeshës dhe obezitetit është e pranishme në Shkodër (79%), ndërsa më e ulëta është në Dibër (65%). Lidhur me shpërndarjen gjinore, prevalenca e mbipeshës në meshkuj dhe në femra rezultoi lehtësisht më e lartë në meshkuj (45.9% kundrejt 39.1%, përkatësisht), ndërsa e kundërta vihet re në rastin e obezitetit ku ka lehtësisht më shumë femra obeze krahasuar me meshkujt (32.7% kundrejt 40.7% përkatësisht./Monitor/