Buxheti, nën presionin e shlyerjes së borxheve, kostot u rritën me 12% në 6-mujor
Buxheti i shtetit po vihet në presionin e kostove të larta të shërbimit të borxhit prej zgjerimit të pazakontë të stokut në dy vitet e fundit si rrjedhojë e dy krizave të njëpasnjëshme, tërmetit dhe pandemisë.
Shërbimi i borxhit ku përfshihen shlyerjet e principalit dhe interesave arriti në 35,5 miliardë lekë në 6-mujorin e parë të vitit 2021, me një rritje 12% në raport me vitin e kaluar dhe 15% më shumë se në vitin 2019. Shërbimi i borxhit në vlerë u zgjerua me 32 milionë euro në raport me 6-mujorin e parë të vitit 2021.
Nga totali prej 35 miliardë lekësh që shkuan për shërbimin e borxhit, 11,7 miliardë lekë ose 33% e totalit ishin pagesa për interesat e borxhit të brendshëm, 17.2 miliardë lekë ose 48% ishin pagesa për principalin e borxhit të jashtëm dhe 6.5 miliardë lekë ose 18%, pagesa të interesave të borxhit të jashtëm.
Gjatë vitit 2020, shërbimi i borxhit publik ushtroi presion të lartë ndaj arkës së shtetit, pasi pagesat ishin 96 miliardë lekë, duke iu afruar gati 1 miliard dollarëve. Vitin e kaluar, shërbimi i borxhit arriti në 6.1% e PBB-së, niveli më i lartë që nga viti 2015.
Në të gjithë botën janë rritur shqetësimet mbi borxhin. Pandemia ka rritur nivelin e detyrimeve publike kudo në botë në periudhe kur lehtësimi monetare ka prekur fundin. Me përfundimin e pandemisë dhe rritjen e inflacionit, aktivizimi i politikave monetare në kahun rritës të interesave do të ndikojë në koston e shërbimit të borxhit. Kjo do të jetë e dukshme sidomos në Shqipëri, pasi borxhi i jashtëm po rritet me shpejtësi si rrjedhojë e emetimit të shpeshtë të Eurobondeve dhe kredive dy paleshe me shtete të ndryshme për riparimin e pasojave të tërmetit.
Rritja e interesave ka nisur edhe në tregjet ndërkombëtare. Sinjalet në Europë i dhanë bondet 10-vjeçare gjermane. Në vitin 2019, obligacionet 10-vjeçare të qeverisë gjermane u shitën me vlerë negative -0.9, d.m.th. investitorët jepnin 0.9 euro për çdo 100 euro të borxhit gjerman. Tani analistët e tregjeve financiare presin që interesat e bondit 10-vjeçar gjerman të arrijnë në 0,25% deri në fund të vitit. Interesat pritet të kenë një prirje rritëse në tregjet ndërkombëtare.
Shpenzimet për interesa të borxhit shtetëror ndaj të ardhurave tatimore dhe PBB, erdhën në rritje vitet e fundit. Sipas projeksioneve të Ministrisë së Financave, një rritje e njëkohshme e normave të interesit në tregun vendas dhe atë të huaj me 1 pipë përqindje mbi normat e pritshme, duke filluar nga viti 2021, mund të rrisë shpenzimet për interesa deri në rreth 14 miliardë lekë në vitin 2023, ndërsa një rritje prej 2 pp, do t’i rriste këto shpenzime deri në rreth 18 miliardë lekë kundrejt skenarit bazë.
Vetëm në 6-mujorin e parë të vitit 2021, stoku i borxhit publik u zgjerua edhe 394 milionë euro./MONITOR