KryesoreLajme

Ministria e Ekonomisë kërkon kursim të rrymës: S’ka mungesë, por mbingarkesë në sistem

Ministria e Ekonomisë ka kërkuar të kursehet energjia elektrike gjatë kësaj jave, të cilën e ka quajtur kritike. 

Sipas kësaj ministrie, vështirësitë që janë shfaqur së fundmi në furnizimin me energji elektrike në disa zona të vendit, janë rezultat i mbingarkesës së sistemit elektro-energjetik dhe jo për shkak të mungesës së energjisë.

“Me uljen e temperaturave dhe duke qenë në prag të fundvitit, konsumi i energjisë elektrike është rritur në rajon e në disa vende evropiane. Aktualisht, rrjeti i shpërndarjes dhe transmisionit ka arritur kapacitetin maksimal të shfrytëzimit (mbi 1400 MË gjatë ditës dhe mbrëmjes). Kjo mbingarkesë po rrezikon stabilitetin e sistemit dhe furnizimin e disa zonave, për shkak të prishjeve që shpesh ndodhin në mot të lig ose mungesës së kapaciteteve të lira alternative për furnizim”, thuhet në njoftim.

Lexo më shumë  Fjalimi më antidiplomatik i kryeministrit të Shqipërisë

Kjo ministri tutje ka kërkuar që të racionalizohet konsumi i energjisë elektrike. 

“Në afat të shkurtër, këto probleme mund të adresohen vetëm duke ulur konsumin e energjisë elektrike, dhe duke sanuar problemet teknike në terren. Ekipet e KOSTT dhe KEDS po punojnë intensivisht në terren për të riparuar defektet teknike. Ndërkohë, ne dhe të gjithë akterët e sektorit të energjisë u bëjmë thirrje që të kontribuoni në sigurinë e furnizimit për vete dhe për të gjithë vendin duke racionalizuar konsumin e energjisë elektrike përgjatë kësaj jave kritike, dhe duke e zhvendosur konsumin pas mesnatës në masën që është e mundshme”, thuhet tutje në njoftim.

Lexo më shumë  Mbyllet një institucion paralel i Serbisë në veri të Mitrovicës
YouTube player